Bruksel, 01 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian ka paditur Greqinë dhe Qipron për mosrespektimin e standardeve të Bashkimit Evropian për trajtimin e mbetjeve.
Dy vendet nuk kanë zbatuar rregulloren e BE-së, e cila “përcakton standardet për landfillet për të parandaluar efektet negative mbi shëndetin e njeriut, ujin, tokën dhe ajrin”, thuhej në një njoftim për shtyp të publikuar sot.
Greqia dhe Qiproja gjithashtu nuk respektojnë një ligj të BE-së, i cili i detyron vendet anëtare të trajtojnë mbetjet përpara se ato të depozitohen në landfill, në mënyrë që kjo të “mos rrezikojë shëndetin e njeriut dhe mjedisin, duke ndaluar braktisjen, hedhjen ose asgjësimin e pakontrolluar të mbetjeve”.
Komisioni ka qenë në kontakt me Athinën që nga viti 2021 lidhur me landfillet e vendit.
Aktualisht, 66 nga 81 landfillet nuk janë në përputhje me legjislacionin e BE-së, thuhej në njoftim, duke bërë që Komisioni të vendoste ta çonte Greqinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDBE).
Rreth një e pesta e mbetjeve të prodhuara në Qipro ende depozitohet në landfill pa trajtim të përshtatshëm, tha Komisioni.
“Komisioni ka arritur gjithashtu në përfundimin se, në të dyja vendet, kapaciteti i impianteve për trajtimin e mbetjeve përpara depozitimit në landfill është i pamjaftueshëm për trajtimin e mbetjeve urbane të përziera”, thuhej në deklaratë.
