Shkup, 15 nëntor Zhurnal.mk – Mungesa e mësimdhënësve në arsimin fillor, veçanërisht nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Histori, kimi, matematikë dhe fizikë janë disa nga lëndët për të cilat shkollat përballen me mungesë të kuadrit të kualifikuar. Në emisionin “Gjurmët”, mësimdhënësit përmendën disa nga arsyet që, sipas tyre, kanë ndikuar në këtë situatë. Përveç mungesës së kuadrit, problem mbeten edhe kushtet jo të duhura për zhvillimin e mësimit, veçanërisht në lëndët që kërkojnë punë praktike dhe eksperimente.
“Përveç asaj që mugojnë kuadër e vërtet është se mungojnë edhe kushtet. Biologjia, fizika, kimia janë lëndë që pa pjesën praktike në teori ngel asgjë për shkak se jo të gjithë kanë një imagjinatë, me imagiinu një eksperiment që po e tregon profesori. Në shkollat fillore mendoj se duhet të ketë mësim kabinetik, çdo kabinet I lëndëvë matematiko natyrore të jetë I paisur me mjete eksperimentale sepse mungojnë edhe mjetet më të thjeshta, përshembull magnetët. Mendoj që kjo nuk e bën lëndën atraktive te nxënësit”, theksoi Sedat Ibrahimi, mësimdhënës i fizikës në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup.
Një tjetër faktor që, sipas mësimdhënësve, ka ndikuar në dobësimin e sistemit arsimor është edhe politizimi i punësimeve. Mitat Shaqiri, mësimdhënës në pension, vlerëson se ndikimi partiak në arsim ka dëmtuar mundësitë e të rinjve të përgatitur profesionalisht për t’u angazhuar në këtë sektor.
“Ndikimet politike viteve të fundit kanë qenë të hatashme dhe nji prej atyre kusnteve qëtë dalim prej kësaj situate është depolitizimi I arsimit edhe pse zyrtarisht thuhet se është i depolitizuar megjithatë ende drejtori I shkollës, arsimtari, bile bile edhe shërbetori pa një pëlqim partiak nukmund të punësohen. Kjo e dëmton palcën e atij të riut I cili sinqerisht ka studiuar dhe sakrifikuar nga koha, dëshirë e ka pas, e ka pa veten nesër në një katedër të arsimtarit”, vlerëson Mitat Shaqiri, mësues i historisë në pension.
Përveç politizimit, ndër arsyet që po ndikojnë në mungesën e kuadrit përmenden edhe pagat e mësimdhënësve. Të rinjtë, në kërkim të mundësive më të mira për punësim dhe të ardhura më të larta, nuk e shohin gjithmonë mësimdhënien si një profesion që u ofron siguri dhe zhvillim të shpejtë ekonomik. Sipas mësuesit Shaqiri, nëse kjo gjendje vazhdon ekziston rreziku që shkollat në gjuhën shqipe të përballen sërish me mungesë të mësimdhënësve shqiptarë dhe lëndët në paralelet shqipe të zhvillohen nga mësimdhënës maqedonas, siç ka ndodhur në periudha të mëhershme.

