Prshtinë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Qendra KADC (Kosovo Advocacy and Development Centre) ka organizuar tryezën me temën “Politikat e Kontrollit të Duhanit si Shtyllë e Parandalimit të Sëmundjeve Jo Ngjitëse: Adresimi i Çështjeve të Hapura Rregullatore”, ku është diskutuar për zbatimin e legjislacionit për kontrollin e duhanit, rritjen e konsumimit të produkteve të duhanit tek të rinjtë dhe nevojën për forcimin e masave parandaluese dhe të kontrollit, raporton Ekonomia Online.
Bardh Ahmeti, sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se kontrolli i duhanit nuk duhet të shihet vetëm si çështje legjislative, por si një çështje që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Kontrolli i duhanit sigurisht që nuk është veç çështje legjislative, por është, do të thotë, impakti drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Të dhënat janë shumë shqetësuese, sidomos te konsumimi i të rinjve, madje edhe i fëmijëve. Dhe këtu na duhet njëfarë bashkëpunimi institucional dhe e gjithë shoqëria, duke mos harruar edhe familjen”, tha ai.
Ai theksoi se shqetësues mbetet edhe konsumimi i produkteve të duhanit nga fëmijët e moshës shkollore, duke kërkuar përfshirjen e familjes dhe të institucioneve në parandalim.
“Përveç këtij produkti, produktet janë edhe të tjera. Dhe shohim fëmijë të shkollave fillore që konsumojnë produkte 7-8 euro. Një fëmijë sigurisht që nga familja i ka burimet e të ardhurave, prandaj edhe familja duhet me iu bashkangjitur koalicionit të gjerë shoqëror kundër konsumimit të duhanit. Do të thotë, nga të dhënat statistikore që kemi, diku mbi 23% e nxënësve të anketuar përdorin produkte të duhanit. Mbi 27% përdorin cigaret elektronike, të cilat janë edhe më të dëmshme”, tha ai.
Ahmeti tha se nuk duhet të bëhet dallim mes produkteve të duhanit sa i përket dëmit që ato shkaktojnë, ndërsa shifrat për konsumimin nga të rinjtë i konsideroi alarmante.
“Prandaj nuk ka produkt të duhanit të dëmshëm ose më pak të dëmshëm, të gjithë janë të dëmshëm. Dhe këtu duhet një konsensus shoqëror. E më e keqja është se mbi 47% e fëmijëve dhe nxënësve të anketuar tregojnë që të paktën një herë kanë konsumuar duhan. Prandaj këto shifra duhet të jenë alarmante për shoqërinë tonë”, tha ai.
Duke folur për kornizën ligjore, ai tha se institucionet kanë ndërmarrë hapa për forcimin e kontrollit të duhanit, por se ende ekzistojnë hapësira që duhet të adresohen.
“Ligjet në parim nuk është se nuk ekzistojnë. Ligji për kontrollin e duhanit, ndonëse në vitin 2013 versioni i fundit, dhe tash është duke u punuar në masë të madhe, do të thotë redakton, krijon barriera për konsumatorët e duhanit, parandalon sponsorizimet, marketingun, mbështetjen e aktiviteteve sportive, rinore, ato që mundet me qenë përkrahëse për të rinjtë, megjithatë industria deri shpeshherë gjen edhe xhepa të vegjël, për të cilët sot jemi të gjithë të thirrur që t’i parandalojmë”, tha ai.
Ahmeti përmendi edhe miratimin dhe përditësimin e udhëzimeve administrative, duke thënë se produktet e reja të duhanit tashmë janë përfshirë në masat për paralajmërimin dhe parandalimin e konsumimit.
“Tash së fundmi kemi edhe udhëzimin administrativ në vitin 2024, nëse nuk gaboj, për vërejtjet e kombinuara që për një kohë të gjatë ka pritje miratimin, me përkushtimin e ministrit Vitia ai është aprovuar. Madje së fundmi është përditësuar që edhe produktet e reja të duhanit të përfshihen në vërejtjet për parandalimin e konsumimit të duhanit. Pra, në njëfarë forme korniza ligjore ekziston”, tha ai.
Sa i përket zbatimit të ligjit, ai tha se Inspektorati Sanitar ka rritur numrin e inspektimeve, ndërsa paralajmëroi kontrolle më intensive gjatë periudhës së ftohtë, kur konsumimi i duhanit zhvendoset më shumë në ambiente të mbyllura.
“Inspektorati sanitar ka ngritur dukshëm numrin e inspektimeve, po përsëri gjobat nuk mjaftojnë dhe kapacitetet humane nuk janë që të jemi në çdo gastronomi, në çdo institucion aty ku është e ndaluar konsumimi i duhanit. Tash meqë kemi hyrë në periudhën e vjeshtës, ftohjes së motit dhe konsumit në ambiente të brendshme, menjëherë jemi aktivizuar në një fushatë së bashku me Inspektoratin Sanitar dhe Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë që do të kemi inspektime më intensive”, tha ai.
Ai bëri të ditur se kontrollet janë zhvilluar edhe në afërsi të institucioneve shkollore, me fokus në produktet që mund të tërheqin fëmijët dhe të rinjtë.
“Fatmirësisht kemi përkrahje edhe të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ku kemi pasur fushatë të inspektimeve edhe afër institucioneve shkollore të produkteve që kryesisht i atraktojnë fëmijët”, tha ai.
Ndërsa sa i përket legjislacionit të ri, Ahmeti tha se po shqyrtohen masa shtesë për kufizimin e qasjes së fëmijëve në produktet e duhanit.
“Tash jemi në hartim të legjislacionit të ri, ku do të shqyrtohen mundësitë e barrierave shtesë për produktet e duhanit, parandalimin e shitjes në afërsi të institucioneve shkollore aty ku gravitojnë fëmijët, pastaj parandalimi i nuancave që i bëjnë fëmijët të tërhiqen: ngjyra, shije e aroma karakteristike”, tha ai
Në fund, Ahmeti tha se parandalimi i konsumimit të duhanit kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror.
“Por sfida do të mbetet sigurisht e përbashkët. Nuk duhet të drejtohet vetëm nga një institucion i caktuar, por duhet të jetë sfidë shoqërore. E mira është që kemi përkushtim politik, duke filluar nga Kryeministri dhe gjithë të tjerët politikëbërës, që ta bëjmë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit publik”, tha ai.
Kurse, Isme Humolli, shefe e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se parandalimi i pirjes së duhanit ka qenë prej vitesh pjesë e prioriteteve strategjike të OBSH-së, ndërsa në periudhën e fundit fokusi është shtuar në integrimin e kësaj çështjeje në strategjitë për parandalim.
“Me vite të tëra parandalimi i pirjes së duhanit ka qenë prioritet dhe pjesë strategjike e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mirëpo në katër vitet e fundit dhe sidomos në dy vitet e fundit fokusi është pikërisht ndërtimi i parandalimit të pirjes së duhanit në strategjitë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që kjo i mundëson edhe ndihmën që OBSH-ja t’ju ofrojë shteteve të ndryshme për hartimin e politikave të ndryshme në njërën anë dhe në anën tjetër edhe në përkrahje teknike”, tha ajo.
Humolli u shpreh e shqetësuar për të dhënat mbi konsumimin e produkteve të duhanit nga të rinjtë, veçanërisht nxënësit e shkollave fillore.
“Po ashtu pa hyrë në detaje janë shumë alarmante të dhënat të cilat flasin për duhanpirësit e rinj, sidomos te nxënësit e shkollave fillore ku ata edhe targetohen prej prodhuesve dhe shitësve të duhanit për shkak se janë më të ndjeshëm dhe normalisht që gjykimi i tyre nuk është i atij niveli që mund të rezistojë në reforma të tilla”, tha ajo.
Ajo tha se kontrolli i duhanit është i lidhur drejtpërdrejt me strategjitë për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe përmirësimin e shëndetit publik.
“Kjo është vetëm njëri aspekt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të gjitha kjo lidhet edhe me strategjitë e parandalimit dhe përparimin e shëndetit sa i përket sëmundjeve kronike”, tha ajo.
Në këtë drejtim, Humolli theksoi ndikimin e duhanit në shfaqjen e sëmundjeve kronike, duke e lidhur këtë edhe me problemet e ndotjes së ajrit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit në ambiente të mbyllura.
“Duhani merret si faktori kryesor në shkaktimin e sëmundjeve të ndryshme kronike duke filluar prej kancereve të ndryshme, sidomos kancereve të mushkërive, por edhe faktorë ndihmues edhe të obeziteteve edhe të llojeve dhe sëmundjeve tjera kronike. Në qoftë se kthehemi pak mbrapa, i referohemi të dhënave të cilat flasin për dëmet e mëdha të ambientit dhe të ajrit në Kosovë dhe kur ndërlidhen këto të dyja, atëherë lirisht mund të theksojmë se situata është jashtëzakonisht alarmante sa i përket ndotjes së ambientit brenda në shtëpi si pasojë e pirjes së duhanit, por edhe në lokale dhe ambiente të tjera të cilat veçse është një situatë e cila ndodh në Kosovë”, tha ajo.
