Tetova intensifikon punimet për rrugën drejt Prizrenit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 4 tetor Zhurnal.mk – Punimet në qarkoren Shipkovicë-Prizren do të vazhdojnë, pavarësisht kushteve të motit. Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha se synohet që deri në fund të vitit, ky projekt të përfundojë, që më pastaj të bëhet edhe projekti ideor dhe kostoja e rrugës Tetovë-Prizren deri në kufirin me Kosovën. Kasami tha se projekti është në fazën e depërtimit të trasesë dhe përpilimit të projektit për realizimin e segmentit të qarkores mbi Shipkovicë.

“Faza e depërtimit të trasesë është gati në përfundim, dhe unë besoj që deri në fund të vitit, do përmbyllen gjitha procedurat edhe sa i përket projektit themelor edhe sa i përket urbanizimit të asaj rruge apo projektit infrastrukturor. Me këtë do plotësohen kushtet që të sigurohet edhe dokumentacioni përkatës sa i përket lejes së ndërtimit dhe futjes në program për vitin 2027 për realizimin e këtij segmenti të rrugës Tetovë-Prizren. Unë besoj se pa marrë parasysh kushtet atmosferike do të përmbyllen punimet dhe do krijohen kushte që në vitin 2027 do bëhet realizimi përfundimtar i të njëjtës deri në realizim,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Akoma nuk dihet nëse asfaltimi i rrugës deri në hyrje të tunelit do të financohet nga Komuna apo do të kërkohen mjete nga Qeveria.

“Për këtë pyetje do kemi përgjigje kur do e kemi projektin themelor dhe aty sigurisht që është edhe parallogaria kur do të dimë sa realisht do kushtoj përmbyllja e këtij projekti,” deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës

Komuna dhe Ministria e Transportit nuk kanë dhënë afate kohore për projektin e tunelit i cili do lidh dy shtetet, e as për koston. Nga Ministria e Transportit njoftuan se projekti i tunelit është në përgatitje e sipër dhe se është në fazën e projektimit nga fakulteti i ndërtimtarisë në Shkup, ndërsa për projektimin e tij janë ndarë rreth 2 milion euro. Kostoja e tunelit, pritet të jetë objekt financimi i përbashkët i dy Qeverive, Maqedonisë dhe Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër