Shkup, 5 tetor, Zhurnal.mk – Pas vizitës në Shkup të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gurët kanë filluar të lëvizin midis Shkupit e Sofjes. Zonja “e hekurt” nga Brukseli i bëri me dije kryeministrit Hristijan Mickoski që të kalojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Von der Leyen i tha shkurt e qartë Mickoskit se nuk ka shpëtim nga kërkesa dhe duhet të përmbushë hapin kyç të ndryshimit të kushtetutës për të njohur zyrtarisht pakicën bullgare, gjë që mbetet një parakusht i rreptë për hapjen e kapitullit të parë të negociatave. Duket se Mickoski e kuptoi qartë këtë mesazh dhe me ose pa dëshirën e tij, urdhëroi që kryediplomati Mucunski të udhëtojë drejt Sofjes. Me këtë veprim “topin e hedhi në fushën bullgare”. Nëse negociatat me bullgarinë shkojnë në drejtimin e duhur, Mickoski do zhbllokojë rrugën drejt BE-së, por nëse “ngushtohet rrethi” dhe e sheh se nuk ka zgjidhje të mirë, gjsat më të mëdha janë të blejë kohë duke shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, shkruan “Zhurnal.mk”.
Mickoski i hapur të shkojë për bisedime në Sofje
Kryeministri Hristijan Mickoski zbuloi se Von der Leyen e këshilloi të kërkonte një takim zyrtar gjatë vizitës së ardhshme të Mucunskit në Sofje si një hap fillestar. Pas këshillës së Von der Leyen, kryeministri Mickoski udhëzoi Ministrin e Jashtëm, Timço Mucunski, të dërgojë një notë diplomatike për të kërkuar një takim dypalësh me homologun e tij bullgar gjatë forumit të Korridorit VIII në Sofje. Takimi është planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme, në margjinat e takimit ministror, por bullgarët ende nuk janë përgjigjur.
Megjithatë, pas porosisë nga Brukseli, edhe Sofja do të detyrohet të ulet në tavolinë, dhe kështu, takimi i ardhshëm ministror mbi Korridorin 8 mund të bëhet edhe një mundësi për një takim të drejtpërdrejtë midis diplomacisë maqedonase dhe asaj bullgare, në një kohë kur çështjet që lidhen me integrimin evropian dhe marrëdhëniet midis dy vendeve janë përsëri në fokus.
Më herët, Mickoski kërkoi një përfshirje dhe ndërmjetësim më aktiv nga Bashkimi Evropian për të garantuar parashikueshmëri dhe drejtësi në procesin e integrimit dhe kjo kërkesë duket se nuk vonoi, prandaj rezultatet do të jenë më të shpejta.
Bullgaria nuk pranon ultimatume nga Shkupi!
Presidentja në detyrë e Bullgarisë, Iliana Jotova, tha se Sofja “mbetet e hapur për bisedime me Maqedoninë e Veriut”, por tha se ato duhet të zhvillohen “pa ultimatume dhe pa devijuar nga politika evropiane”. Bullgaria, si anëtare e plotë e Bashkimit Evropian kërkon që mos të lejojë që një vend që ka nisur rrugën evropiane, siç është Maqedonia e Veriut të mos i pranojë vlerat dhe virtytet e BE-së.
Presidentja bullgare vazhdon të pohojë se ka dyshime për sinqeritetin e Shkupit zyrtar në vazhdimin e dialogut, sepse, ajo ende nuk ka marrë një përgjigje nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova për muajin e tretë në letrën që ajo personalisht i dërgoi. Nga ana tjetër, lideri i GERB-it, Bojko Borisov, deklaroi se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë armiq dhe se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi mes dy vendeve duhet të respektohet. Bullgaria as Komisioni Evropian nuk kërkon asgjë tjetër përveç respektimit të kësaj marrëveshjeje, pasi bullgarët nuk jemi armiq të Maqedonisë së Veriut, por përkundrazi. Marrëveshja parashikon të drejta dhe bullgarët iu referuaa të ashtuquajturit propozim francez, duke e cilësuar atë si të qartë.
A po i jepet edhe një shans dialogut Shkup-Sofje!
Pas rreth dy javësh, raporti mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në anëtarësimin në BE do të shqyrtohet para Komisionit Evropian. Sigurisht se sa i përket çështjes me bullgarët nuk do të ketë një vlerësim pozitiv.
Kryeministri Mickoski e di qartë këtë gjë, prandaj me vizitën e fundit të Presidentes të KE-së në Shkup, ai qartë dha sinjal se ne jemi në gjendje të bisedojmë dhe të dëgjojmë BE-në, por duhet të kemi mirëkuptim dhe vesh për dëgjim edhe nga pala bullgare.
Në këtë pikë, Mickoski po i jep edhe një shans dialogut, por duke insistuar se kërkon garanci se nuk do të ketë më kërkesa të tjera. Për këtë pikë as BE-ja dhe as Bullgaria nuk garantojnë se nuk do të ketë kërkesa të tjera, por presidentja Von de Leyen dha një porosi shumë të qartë nga Shkupi. Ajo i ganatoi Mickoskit dhe popullit maqedonas, se Maqedonia e Veriut në BE do të anëtarësohet me gjuhën e saj maqedonase dhe me identitetin e saj maqedonas, duke iu bërë me dije edhe bullgarëve se në këto tema s’kanë çfarë të kërkojnë më shumë.
Këto dy pika janë shumë të rëndësishme edhe për Mickoskin, sepse garanci më të madhe se kjo nuk mund të gjejë.
Mickoski gjatë ditëve në vijim do të mundohet të matë gatishmërinë e bullgarëve për negociata dhe bashkëpunim. Në këtë pikë, Mickoski do të luaj edhe me kohën. Nëse i ngushtohet “rrethi” gjatë bisedimeve, ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe në këtë formë do ta shtyjë procesin e negociatave dhe do të blejë kohë që çfarëdo vendimi që të marrë në të ardhmen, ta marrë duke e siguruar edhe një mandat të plotë qeveritar.
Prandaj, gjithçka do të shohet gjatë ditëve në vijim, nëse Mickoski do të vendosë të vazhdojë negociatat dhe të kërkojë zgjidhje me zhbllokimin e rrugës drejt BE-së, apo do të zgjedhë rrugën e njohur deir më tani, të blerjes kohë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
Një gjë është me rëndësi, se kryeministri Mickoski duhet ta lexojë shumë mirë politikën evropiane në lidhje me zgjerimin, se BE-ja e do brenda saj Maqedoninë e Veriut, por se nuk do të lejojë që të shkelen rregullat e saja nga një shtet kandidat.
Me rëndësi është se “gurët po lëvizin”, por në cilën kahje do të rrokullisen ato, është vetë qeveria e Maqedonisë së Veriut që do t’ua japë drejtimin, shkruan “Zhurnal.mk”.
