Ali Ahmeti përkujton Nuhi Berishën në 65-vjetorin e lindjes

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Ali Ahmeti ka përkujtuar 65-vjetorin e lindjes së Heroit të Kombit, Nuhi Berisha, duke nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij.
Me këtë rast, Ahmeti ka marrë pjesë në homazhe pranë vendprehjes së Nuhi Berishës, Rexhep Malës dhe Kadri Zekës, si dhe në akademinë përkujtimore kushtuar këtij përvjetori.

Në mesazhin e tij, Ahmeti ka vlerësuar rolin e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në rezistencën e organizuar kombëtare, duke i cilësuar ata si pararendës të rrugës që, vite më vonë, u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ishin ndër pararendësit e rezistencës së organizuar kombëtare dhe gurëthemel i rrugës që, vite më vonë, u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, ideali për liri i këtyre figurave u përcoll brez pas brezi deri në çlirimin e Kosovës.

Ahmeti ka theksuar gjithashtu se kujtimi për Nuhi Berishën dhe Rexhep Malën mbetet i lidhur me kujtimin për të gjithë bashkëveprimtarët e tyre dhe shokët e idealit në veprimtarinë kombëtare.
“Ata lanë pas një amanet të madh: lirinë, bashkimin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj çështjes kombëtare”, është shprehur Ahmeti.

Në fund të mesazhit, ai ka përcjellë homazhin për figurat e përkujtuara me fjalët: “Lavdi e përjetshme Nuhi Berishës, Rexhep Malës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër