Kuvendi miraton me 90 vota shmangien e afateve për Ligjin për Specialen

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për dhe asnjë kundër shmangien nga afatet dhe procedurat parlamentare, duke i hapur rrugë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka propozuar që shqyrtimi i parë i projektligjit të bëhet në seancën e jashtëzakonshme të sotme, duke shmangur procedurat e rregullta.

“Propozojmë që shqyrtimi i parë i këtij ligji të bëhet në seancën e jashtëzakonshme, pra sot”, tha Nagavci.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka sqaruar se ndryshimet e propozuara, sipas tij, nuk e cenojnë të drejtën e Dhomave të Specializuara për trajtimin e rasteve që lidhen me trafikimin e organeve, por synojnë që rastet e krimeve të luftës të gjykohen në Kosovë.

“Ky ligj nuk ia heq të drejtën Gjykatës Speciale për të trajtuar rastet që kanë të bëjnë me trafikimin e organeve, por i heq një pjesë të juridiksionit të Dhomave të Specializuara, atë që ka të bëjë me krimet e luftës. Ajo mund të vazhdojë me hetimet për trafikimin e organeve. Kosova nuk do ta ndryshojë Kushtetutën e saj dhe nuk do të prishë marrëveshjet ndërkombëtare që kemi me Holandën. Ajo që bëjmë është që krimet e luftës të zhvendosen për t’u gjykuar në Kosovë. Ligji i bart këto kompetenca për të gjitha rastet e ardhshme. Për ish-krerët, nëse do të ketë rast në Gjykatën Supreme, ai do të zhvillohet në Kosovë”, tha ai.

Shmangia nga afatet procedurale është e paraparë në Rregulloren e Kuvendit. Projektligji është përkrahur më herët në parim nga Komisioni për Legjislacion.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër