Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se grupi i saj do t’i mbështesë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.
Nagavci ka theksuar se përkrahja e këtyre ndryshimeve nuk nënkupton se Vetëvendosje ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, të cilën ajo ka thënë se partia e ka kundërshtuar që nga themelimi.
“Kur Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës morën një prej vendimeve më të rënda institucionale të pasluftës, atëherë duhej të përcaktoheshin me shumë më tepër largpamësi natyra, mandati dhe kufijtë e mekanizmit që po krijohej, si dhe pasojat që ai mund të kishte për vendin dhe kombin tonë. Ne ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë Gjykatë Speciale. Kemi menduar atëherë dhe mendojmë edhe sot se çdo dyshim për vepra penale të kryera nga individë duhej të hetohej dhe gjykohej brenda sistemit të rregullt të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Drejtësia ishte e domosdoshme, ndërsa një sistem i veçantë drejtësie për Kosovën, ku do të gjykohej lufta, sipas nesh, nuk ishte”, ka deklaruar ajo.
Sipas Nagavcit, Qeveria dhe shumica e parlamentarëve të vitit 2015 bënë një zgjedhje tjetër, mbi bazën e së cilës u ndryshua Kushtetuta dhe u miratua ligji për themelimin e Dhomave të Specializuara, së bashku me marrëveshjen ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo ka thënë se Vetëvendosje do ta mbështesë nismën për ndryshimin e këtij ligji, duke theksuar se një vendim që ajo e konsideron të gabuar nuk duhet të përdoret si arsye për të penguar korrigjimin e tij.
Nagavci ka shtuar se ndryshimi i ligjit nuk do t’i lirojë ish-krerët e UÇK-së që janë dënuar nga Dhomat e Specializuara.
“Nuk po e përmendim këtë sot për t’u ndarë sërish mes nesh si dikur, por sepse nuk mund të kuptohet vendimi që po e marrim pa kujtuar vendimin prej të cilit ai buron. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, reagimi është i vonuar dhe zgjidhjet e propozuara janë të nxituara. Kjo duhet thënë në përgjithësi, pikërisht sepse momenti është i rëndësishëm”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka theksuar se, nëse ata që e mbështetën këtë zgjidhje në vitin 2015 sot kërkojnë ta ndryshojnë ligjin, Vetëvendosje do ta mbështesë këtë përpjekje.
“Jo sepse kemi ndryshuar qëndrimin tonë, por sepse bindjen se një vendim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm nuk mund ta përdorim si arsye për të penguar korrigjimin e asaj që ende mund të korrigjohet. Duhet ndërkaq të jemi të vetëdijshëm për kufijtë e këtij vendimi. Kosovës i duhet një strategji shtetërore”, ka përfunduar ajo.
