Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Kosova vazhdon të kërkojë drejtësi në procesin e Dhomave të Specializuara, duke vlerësuar se akuzat për trafikim të organeve njerëzore nuk mund të faktohen me prova dhe fakte, raporton Ekonomia Online.
Hamza ka thënë se PDK-ja ka besuar dhe vazhdon të besojë në drejtësi, ndërsa ka theksuar se procesi i krijimit të Dhomave të Specializuara ka qenë i rëndë për Kosovën.
“Kemi besuar në drejtësi, vazhdojmë të besojmë në drejtësi. Kërkojmë drejtësi. Ka qenë një proces shumë i rëndë për Kosovën, për të gjithë ata që kanë marrë vendime në këtë Kuvend sa i përket krijimit të gjykatës dhe Dhomave të Specializuara. Janë krijuar dhe është amendamentuar Kushtetuta mbi bazën e një raporti i cili ka përmbajtur në vetvete akuza të tmerrshme. Me akuza të tilla, Kosova e ka pasur të vështirë, të pamundur, të ecë përpara. Jemi të sigurt se nuk ka asgjë prej atyre akuzave. Nuk qëndrojnë. Nuk janë të sakta. Nuk mund të faktohen as me prova, as me fakte”, tha ai.
Hamza ka deklaruar se institucionet e Kosovës, në kohën kur është votuar themelimi i kësaj gjykate, kanë pasur besim të plotë në drejtësi dhe se qëllimi ka qenë që përmes këtij procesi të trajtohen akuzat ndaj individëve.
“Dhe me ata që Kosova e ka bërë rrugën, me ata që Kosova e ka fituar lirinë, me ata që Kosova e ka bërë pavarësinë, sigurisht se në atë kohë ata që kanë qenë deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me besim të plotë në drejtësi, e kanë votuar edhe gjykatën. Pse ka devijuar gjykata prej asaj çka është diskutuar dhe për çka është votuar? Është e vërtetë. Është tepër mirë, tepër pozitive që njerëz të caktuar kanë paguar kosto individuale, personale e familjare, me qëllim që vendit t’ia heqin këto akuza të tmerrshme. Dhe në fund, deri në këtë fazë të procesit, del që asgjë nga akuzat e tmerrshme për trafikim të organeve njerëzore. Nuk po e mbyllim gjykatën, por të vazhdojë hetimin për atë që është krijuar”, tha ai.
Kryetari i PDK-së ka thënë se është lënë mundësia që procesi i apelit të zhvillohet në Hagë, me qëllim që gjykata të vendosë mbi bazën e provave dhe fakteve.
“E kemi lënë që apeli të zhvillohet atje. Me qëllim kemi dhënë mundësinë edhe një herë kësaj gjykate që të sjellë vendim ekskluzivisht vetëm mbi bazën e provave dhe fakteve, jo mbi bazën e thashethemeve, jo mbi bazën e asaj që ka thënë dikush, ka dëgjuar dikush. Nuk ka raste të tilla askund në botë. Dhe nuk do të ketë as në rastin konkret”, tha ai.
