Drejtori ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk, njoftoi të dielën se do ta ndryshonte emrin e njësisë së inteligjencës artificiale (AI) të kompanisë në SpaceXSI, pas nismës së presidentit amerikan Donald Trump për të përdorur termin “super-inteligjencë” (super intelligence) në vend të “inteligjencës artificiale” (artificial intelligence).
“Po, ne do ta bëjmë atë ndryshim”, iu përgjigj ai një përdoruesi në platformën X, i cili e pyeti për mundësinë e ndryshimit të emrit nga SpaceXAI në SpaceXSI.
Megjithatë, siç vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi, deri të dielën në mëngjes, faqja e internetit dhe llogaritë në rrjetet sociale të kompanisë së Musk vazhdonin të mbanin emrin SpaceXAI, dhe ai nuk ka dhënë detaje shtesë apo ndonjë afat kohor për një ndryshim zyrtar të emrit.
Kujtojmë se javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte departamentet dhe agjencitë federale të përdornin termat “super-inteligjencë” dhe “SI” në komunikimet zyrtare.
Dega ekzekutive nuk do të “njohë më përdorimin e termave ‘Inteligjencë Artificiale’ dhe ‘AI’ në asnjë kontekst përkatës”, thuhet në urdhrin ekzekutiv të Trump.
Urdhri thekson se “sistemet më të avancuara të sotme bëjnë shumë më tepër sesa thjesht të imitojnë apo automatizojnë aspekte të veçanta të inteligjencës njerëzore” dhe se teknologjitë e reja “e tejkalojnë dukshëm atë që parashikohej kur termi ‘Inteligjencë Artificiale’ hyri për herë të parë në përdorim”.
