Zbulohet me detektor metali një varëse ari 1,000-vjeçare në Britani të Madhe

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Një kërkues metalesh ka bërë një zbulim të rrallë në një fushë pranë Highclere Castle, vendi i njohur si një nga lokacionet kryesore të serialit Downton Abbey.

Nick Berry, 58 vjeç, zbuloi një varëse ari rreth 1,000-vjeçare, që besohet se i përket periudhës anglo-saksone, gjatë një aktiviteti të organizuar për kërkimin e metaleve në fshatin Ashmansworth, Hampshire.

Berry, i cili merret me kujdesin social dhe ka më shumë se 30 vjet përvojë në këtë aktivitet, tha se sinjali i detektorit e çoi drejt një objekti të artë që ndodhej nën tokë.

“E gërmova dhe, sapo pashë në vrimë, dallova shkëlqimin e arit. E nxora me shumë kujdes dhe pata një ndjesi të çuditshme, madje u emocionova”, rrëfeu ai.

Kur pastroi dheun, Berry kuptoi se objekti kishte formën e një dore. Ai tha se e kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për diçka të pazakontë dhe se mund t’i përkiste periudhës anglo-saksone.

Ekspertët besojnë se varësja përfaqëson simbolikisht “Dorën e Zotit”, një simbol me lidhje të forta me krishterimin në periudhën e vonë anglo-saksone dhe asaj vikinge.

Julian Evan-Hart, redaktor i revistës Treasure Hunting, e cilësoi zbulimin si “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se objekti duket të jetë unik. Sipas tij, bazuar në stilin e pjesës së sipërme dhe unazës së varëses, ajo ka shumë gjasa të datojë nga periudha e mesme anglo-saksone.

Eksperti shtoi se një objekt i tillë do të kishte pasur rëndësi simbolike dhe se pronari i tij ka shumë gjasa të ketë qenë një person me status shumë të lartë shoqëror, ndoshta pjesë e fisnikërisë së kohës.

Varësja peshon vetëm 1.6 gramë, ndërsa Berry thotë se ari duket të jetë i një pastërtie të lartë. Ai beson se objekti është përdorur si talisman dhe është mbajtur rreth qafës.

Zbulimi u raportua te zyrtari lokal për gjetjet arkeologjike dhe objekti tashmë ndodhet në British Museum, i cili e ka shpallur atë një thesar që duhet të ruhet për kombin, për shkak të veçantisë së tij.

Berry pranon se mund të mos e ketë më në pronësi varësen, por thotë se për të ky mbetet “zbulimi i jetës”.

Highclere Castle, rreth 11 minuta me makinë nga vendi ku u gjet varësja, shërben si një nga lokacionet kryesore të serialit të famshëm televiziv Downton Abbey.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër