Arrestime të reja në Lotarinë Shtetërore, dyshime për përvetësim të 1.3 milionë eurove

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Në Lotarinë Shtetërore janë kryer arrestime të reja, raporton “Plusinfo”, duke iu referuar burimeve të njohura me rastin.

Sipas informacioneve, Drejtoria e Policisë Financiare, në koordinim me Prokurorinë, po zhvillon një aksion lidhur me një rast të ri, ku dyshohet për keqpërdorime në punën e Lotarisë Shtetërore.

Është arrestuar ish-përgjegjësja e financave në Lotarinë Shtetërore, si dhe një person tjetër. Sipas dyshimeve, ata lidhen me përvetësimin e rreth 80 milionë denarëve, përkatësisht rreth 1.3 milionë eurove.

Sipas burimeve të “Plusinfo”, dyshimet kanë të bëjnë me periudhën kur me Lotarinë Shtetërore drejtonte ish-drejtori Perparim Bajrami.

Aksioni është në zhvillim, ndërsa gjatë ditës pritet që institucionet kompetente të bëjnë të ditura më shumë detaje për rastin, për personat e tjerë eventualisht të përfshirë në hetim, si dhe për veprimet e dyshuara që u ngarkohen personave të arrestuar.

Deri në një njoftim zyrtar nga institucionet kompetente, bëhet fjalë për dyshime që janë pjesë e një procedure hetimore në zhvillim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër