Brukseli investon 130 milionë euro të tjera për forcimin e mbrojtjes së BE-së kundër dronëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 05 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion edhe 130 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian për përmirësimin e kapaciteteve të BE-së për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve.

“Ky financim synon të ndihmojë në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së dhe në përmirësimin e mënyrës se si autoritetet reagojnë ndaj kërcënimeve të reja të sigurisë”, tha sot Komisioni Evropian në një deklaratë.

Fondet do të përdoren për të përmirësuar aftësinë e autoriteteve, për të kuptuar se çfarë po ndodh në hapësirën ajrore dhe për t’iu përgjigjur më mirë rreziqeve, që mund të shkaktohen nga përdorimi i paautorizuar ose armiqësor i dronëve.

Kjo shumë i shtohet 419 milionë eurove të akorduara më parë, për teknologjitë e mbikëqyrjes dhe kundërveprimit ndaj dronëve.

Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner tha se dronët mund të ofrojnë mundësi të dobishme, për shembull, për mbrojtjen e kufijve dhe infrastrukturës së rëndësishme.

“Dronët janë një mundësi. Ata ndihmojnë në sigurimin e kufijve tanë dhe të infrastrukturës së rëndësishme, mbrojnë aktivitetet dhe ndihmojnë në kërkimin e personave të zhdukur. Por, ata përbëjnë gjithashtu një rrezik kur keqbërësit i keqpërdorin – dhe ky kërcënim po rritet, përtej kufijve kombëtarë”, tha Brunner.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër