Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot Mirena, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Mirena ka bërë të ditur se mandatin e tij në Kuvendin Komunal do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.
“Unë, si asambleist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mandatin tim do ta vazhdoj si asambleist i pavarur”, ka shkruar Mirena.
Ai ka thënë se vendimi i tij lidhet me mospajtimin me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ky vendim shpreh mospajtimin tim të thellë me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, potencoi Mirena.
Mirena do ta vazhdojë mandatin e tij në Kuvendin Komunal të Obiliqit si asambleist i pavarur.
