Zgjerimi i BE-së, Hoxha: Koha për veprim, Shqipëria po bën pjesën e saj

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në edicionin e 12-të të “Tirana Connectivity Forum”, një platformë për diskutime mbi ndërlidhjen, bashkëpunimin rajonal dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxha theksoi se angazhimet politike për zgjerimin e Bashkimit Evropian duhet të shoqërohen me hapa konkretë drejt anëtarësimit të vendeve kandidate, mbi bazën e një udhërrëfyesi të qartë dhe të dakordësuar me BE-në.

“Shqipëria po bën pjesën e saj. Ne po ecim përpara kapitull pas kapitulli, kriter pas kriteri, reformë pas reforme, me objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Sepse reformat nuk janë kushte të imponuara nga jashtë; ato janë investime për një Shqipëri më të fortë, më demokratike dhe më të begatë. Shumë përpara se të bëhen standarde të BE-së, ato janë gurë kilometrikë në rrugën tonë të zhvillimit dhe modernizimit”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha shprehu gjithashtu mbështetjen për integrimin gradual, që u mundëson vendeve kandidate të marrin pjesë në politika dhe programe të BE-së dhe të përfitojnë nga mundësitë e tregut të saj përpara anëtarësimit të plotë.

“Përmes pjesëmarrjes së shkallëzuar në politikat e BE-së, në Tregun e Përbashkët, në programet e përbashkëta dhe projektet strategjike, mund të përshpejtojmë konvergjencën, duke forcuar njëkohësisht besimin në procesin e zgjerimit. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një rrugë më e besueshme, më pragmatike dhe më e qëndrueshme drejt tij, në dobi si të vendeve kandidate, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian”, theksoi Ministri i Jashtëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër