Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike se pas ratifikimit të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, standardet e saj do të duhet të reflektohen në aktet ligjore dhe nënligjore, përfshirë edhe aktet e organeve të pavarura të drejtësisë.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit për ratifikimin e Konventës, deputeti i PD Arjan Ndoja ngriti çështjen e rregullores së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për sjelljen e avokatëve, duke pyetur nëse ajo mund të jetë në kundërshtim me standardet e Konventës.
Gogu tha se, pas ratifikimit, çdo institucion duhet të rishikojë aktet e veta në raport me detyrimet që burojnë nga Konventa.
Ai sqaroi se rregullorja e GJKKO-së miratohet nga vetë gjykata, ndërsa veprimtaria e saj shqyrtohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërsa Ministria e Drejtësisë do të duhet të informojë institucionet për detyrimet e marra nga shteti shqiptar.
“Me miratimin e Konventës ne duhet që të gjitha standardet e Konventës t’i mishërojmë në akte ligjore dhe nënligjore që miratohen, qoftë për Ministrinë e Drejtësisë, qoftë për organet e pavarura të drejtësisë”, deklaroi Gogu.
Ndoja e lidhi çështjen edhe me bojkotin e proceseve gjyqësore nga Dhoma e Avokatisë, duke theksuar se moszhvillimi i seancave mund të krijojë probleme me afatet e paraburgimit dhe të drejtat e të pandehurve.
Gogu u shpreh i gatshëm që Ministria e Drejtësisë të ulet me palët nëse vlerësohet se ajo është institucioni i duhur për të ndihmuar në zgjidhjen e problematikës, duke theksuar se ministria nuk mund të tejkalojë kompetencat e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji.
Në diskutim, deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, kërkoi që profesioni i avokatit të ketë të njëjtat standarde dinjiteti dhe trajtimi si aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e funksionimit të Dhomës së Avokatisë dhe propozoi kufizime në mandatet drejtuese.
Korreshi kërkoi edhe ndryshime në procedurat e divorcit, duke propozuar heqjen e fazës së pajtimit në gjykatë.
Ministri Gogu e vlerësoi diskutimin dhe tha se shqetësimet lidhen me vështirësi konkrete në ushtrimin e profesionit të avokatit, veçanërisht për aksesin në procesin gjyqësor, përfaqësimin dhe aksesin gjatë hetimeve.
Ai theksoi se Konventa synon të vendosë parime për mbrojtjen e rolit të avokatit dhe parashikon monitorim ndërkombëtar përmes mekanizmit GRAVO.
Në përfundim të diskutimit, Gogu mbështeti propozimin për zhvillimin e një dëgjese me grupet e interesit për të trajtuar më gjerësisht çështjet e ngritura lidhur me profesionin e avokatit.
