Shkup, 6 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot mbajti një fjalë hyrëse në tryezën ekzekutive “Ndërtimi i një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm, të qasshëm dhe të orientuar drejt pacientëve”, të organizuar nga Dhoma Ekonomike Holandeze në Maqedoni, ku morën pjesë krijues të politikave, ofrues të shërbimeve shëndetësore, ekspertë klinikë, faktorë financiarë e ndërkombëtarë dhe përfaqësues të industrisë.
Siç informon Ministria e Shëndetësisë, pas Klekovskit, fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike Holandeze, Bob Smit, i cili e hapi zyrtarisht ngjarjen.
Diskutimi u organizua në tre sesione:
Transformimi i shëndetësisë dhe rrugët e kujdesit – si përmes kujdesit më të integruar dhe të koordinuar të përmirësohen rezultatet për pacientët, nga parandalimi dhe diagnoza deri te trajtimi, rehabilitimi dhe menaxhimi afatgjatë i sëmundjeve kronike;
Barazia dhe qasja në shëndetësi – dallimet rajonale në qasje, sfidat me kuadrin, lidhja digjitale mes institucioneve shëndetësore dhe kujdesi kardiovaskular si shembull për referim dhe koordinim më të mirë;
Financim i qëndrueshëm, partneritete dhe modernizim i shëndetësisë – si të investohet në mënyrë efikase në infrastrukturë, teknologji dhe shërbime, me planifikim më të mirë dhe shfrytëzim të kapaciteteve ekzistuese, duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë.
Ministri Klekovski theksoi se çdo investim në pajisje, objekte dhe digjitalizim matet me një pyetje: “A arrin pacienti më shpejt te diagnoza dhe trajtimi dhe a merr të njëjtin kujdes pa marrë parasysh ku jeton?”
“Nuk ka rëndësi vetëm sa investojmë, por sa efikas investojmë – me prioritete të qarta, me shfrytëzim më të mirë të asaj që tashmë e kemi dhe me partneritete që sjellin vlerë për shëndetësinë publike”, deklaroi ministri Klekovski.
