Zyrtarët e lartë të BE-së përkujtojnë trevjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 07 tetor, Zhurnal.mk – Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian kanë shprehur solidaritetin e tyre me Izraelin në trevjetorin e sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit.

“BE-ja qëndron në krah të të gjithë atyre, jeta e të cilëve ndryshoi përgjithmonë nga ajo ditë. Mizoria dhe terrori i papërshkrueshëm i 7 tetorit nuk duhet të ndodhin më kurrë”, shkroi sot në rrjetin X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Më 7 tetor 2023, luftëtarët e Hamasit dhe të organizatave të tjera ekstremiste, vranë rreth 1 200 njerëz në Izrael dhe rrëmbyen më shumë se 250 persona, të cilët më pas i morën peng dhe i çuan në Rripin e Gazës.

Sulmi shkaktoi luftën në Gaza, ku, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi në këtë territor, janë vrarë më shumë se 74 000 palestinezë.

Von der Leyen tha se BE-ja është ende e gatshme të ndihmojë që armëpushimi i brishtë i tanishëm, të kthehet në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

Me zgjidhjen me dy shtete nënkuptohet krijimi i dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që bashkëjetojnë në paqe dhe siguri.

“Disa ditë mbeten përgjithmonë në kujtesën tuaj. Plagët janë ende të hapura për shumë njerëz”, tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Parlamenti Evropian kujton viktimat e asaj dite tmerri, ndërsa rikonfirmon angazhimin për t’i dhënë fund terrorizmit, për të gjetur një rrugë drejt paqes dhe për të shtuar përpjekjet për të luftuar të keqen e vjetër të antisemitizmit”, tha ajo.

“Ne nuk do ta harrojmë kurrë. Asgjë nuk mund ta justifikojë një terror të tillë dhe kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

“BE-ja do të mbrojë gjithmonë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri. Zgjidhja me dy shtete, mbetet e vetmja rrugë e mundshme drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër