Shkup, 7 tetor, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në kumtesën e sotme në lidhje me procesin e integrimit të vendit në BE.
Kumtesa e plotë:
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dha një mesazh të qartë. Momentumi i zgjerimit është real dhe Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë tani. Por pesë ditë pas vizitës, Qeveria ende nuk ka treguar se ka një plan konkret për debllokimin e procesit eurointegrues.
Në reagimin tonë të 30 shtatorit ne kërkuam një plan publik me afate për përmbushjen e detyrimeve evropiane, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe reformat në drejtësi. Kërkuam gjithashtu që pas vizitës të thirret një tryezë e forcave politike parlamentare për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm.
Deri më sot nuk kemi parë asnjërën.
Kanë kaluar pesë ditë nga vizita, ndërsa ende nuk është zhvilluar asnjë takim bilateral me Bullgarinë. Është dërguar kërkesë për takim dhe flitet për një takim të mundshëm në Sofje, por vendit i duhen rezultate konkrete dhe një proces i mirëfilltë politik, jo vetëm paralajmërime për takime.
Von der Leyen e bëri të qartë se ekziston një hap kyç që duhet ndërmarrë për avancimin e negociatave. Në të njëjtën kohë, ajo vlerësoi rezultatet në Planin e Rritjes dhe paralajmëroi investime të tjera evropiane.
Evropa po jep sinjale të qarta se dera mbetet e hapur. Pyetja është sa gjatë do të vazhdojë Qeveria të humbë kohë.
Ne kërkojmë iniciativë politike, dialog serioz me Bullgarinë, tryezë të forcave parlamentare dhe afate konkrete për zbatimin e detyrimeve evropiane. Përgjegjësia për ta nisur këtë proces i takon Qeverisë.
Çdo ditë e humbur është një ditë më shumë larg Bashkimit Evropian dhe një mundësi më pak për qytetarët e vendit.
