Shkup, 7 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot publikoi konkurset për nëntë kategori bursash për nxënësit e shkollave të mesme në vend, për vitin shkollor 2026/2027.
Numri më i madh, 1.570 bursa, është paraparë për nxënësit e regjistruar në paralelet duale, përkatësisht në arsimin profesional ku do të realizohet arsimimi praktik me numër të shtuar të orëve, në përputhje me programet për arsimin profesional.
900 bursa janë paraparë për mbështetjen sociale të nxënësve të shkollave të mesme publike, 300 bursa për nxënësit e arsimit të mesëm me programe të veçanta mësimore, ndërsa 180 bursa janë për nxënësit me nevoja të veçanta nga shkollat e mesme publike dhe private.
Nga 150 bursa do të ndahen në tri kategori: për nxënësit që ndjekin plane dhe programe mësimore për aftësim profesional dhe arsim profesional trevjeçar; për nxënësit e talentuar – sportistë nga shkollat e mesme publike dhe private; si dhe për nxënësit e talentuar të arsimit të mesëm, me përjashtim të nxënësve të talentuar në fushën e arteve, nga shkollat publike dhe private.
MASH-i ka publikuar gjithashtu konkurse për ndarjen e 50 bursave për nxënësit që janë fëmijë pa prindër dhe ndjekin mësimin në shkolla të mesme publike ose private, si dhe 50 bursa të tjera për nxënësit e talentuar të shkollave të mesme në fushën e arteve, të cilët ndjekin mësimin në shkollat publike ose private në vend.
