Justina Shiroka-Pula merr detyrën e presidentes së Kosovës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila ka pranuar zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit, raporton Ekonomia Online.

Ceremonia është zhvilluar në oborrin e Presidencës, ku kanë marrë pjesë familjarë të Presidentes Shiroka-Pula, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, detyra e Presidentes i është dorëzuar zyrtarisht Shiroka-Pulës nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, duke shënuar edhe përfundimin e periudhës së ushtrimit të kësaj detyre nga ana e saj.

Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 6 tetor, në një votim që përfundoi pas mesnatës. Ajo mori 81 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Eliza Hoxha, mori një votë. Dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula bëri betimin kushtetues dhe, në fjalimin e saj të parë si Presidente, deklaroi se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi të plotë. Ajo u zotua se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe forcimin e institucioneve.

Me marrjen zyrtare të detyrës, Justina Shiroka-Pula bëhet Presidentja e shtatë e Republikës së Kosovës dhe gruaja e tretë që ushtron këtë funksion, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.

Zgjedhja e saj erdhi në fund të një periudhe të gjatë të ngërçit institucional, ndërsa votimi në Kuvend u zhvillua në orët e fundit të afatit kushtetues. Me zgjedhjen e Presidentes së re, Kosova shmangu edhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër