Më shumë se gjysmë viti pasi Qeveria kishte marrë vendimet për festimin e 35-vjetorit të pavarësisë dhe pothuajse një muaj pas përfundimit të ngjarjeve, është publikuar procesverbali i seancës së Qeverisë në të cilën ishte përcaktuar mënyra se si do të organizohej festimi, transmeton Portalb.mk nga Prizma.
Në dokumentin e seancës, të mbajtur më 28 prill të këtij viti, thuhet se përmbajtja e detajuar e shpalljes publike për përzgjedhjen e organizatorit të festimit, të cilën dy ditë më vonë e shpalli Lotaria Shtetërore, ishte propozuar tërësisht nga Bordi Organizativ.
Me kërkesë të Qeverisë, bordi ishte formuar nga nëntë përfaqësues të disa institucioneve shtetërore.
Për festimin e sivjetshëm, Qeveria për muaj të tërë, deri në përfundimin e koncertit të fundit, nuk e kishte bërë të ditur mënyrën se si ishte zgjedhur organizatori, si dhe buxhetin e përgjithshëm për ngjarjet.
Vetëm këto ditë, përmes procesverbalit të publikuar me vonesë, u bë e ditur se pikërisht bordi i propozuar nga Qeveria kishte parashikuar organizimin e një koncerti me një artist botëror të kategorisë “A” dhe produksion të kategorisë “A”. Ky koncept më vonë u realizua me performancën e DJ-së me famë botërore David Guetta.
Anëtarët e bordit kishin propozuar gjithashtu që në kuadër të festimit të kishte një “yll ndërkombëtar botëror të kategorisë A”, i shoqëruar nga artistë maqedonas. Kjo ide më vonë u realizua me performancën e këngëtarit të operës Jose Carreras në sheshin e Shkupit.
E njëjta vlen edhe për 12 ngjarjet në mbarë vendin, të cilat u organizuan në formë të performancave teatrale dhe vizuale, nën konceptin “35 vjet Maqedoni e pavarur”.
Me kërkesë të BIRN, Qeveria ka bërë të ditur emrat e anëtarëve të Bordit Organizativ.
“Zyra e Kryetarit të Qeverisë nominoi Sasho Pavloskin, Ministria e Kulturës dhe Turizmit nominoi Biljana Qulavkovskën, Tijana Tesalonika Shishkoskën, Magdalena Manaskovën dhe Vesna Mitevskën, Shërbimi qeveritar për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta nominoi Hristijan Stojanovskin, MPB-ja nominoi Vllatko Gjoshevskin dhe Biljana Saraginova Pançevskën nga BJB-ja (Byroja për Siguri Publike), ndërsa Sekretariati i Përgjithshëm nominoi Goce Bobolinskin”, thonë nga Qeveria.
Nga procesverbali bëhet e ditur gjithashtu se në të njëjtën seancë, më 28 prill 2026, Qeveria e kishte urdhëruar Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit, Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut që të siguronte paratë nga dividenti i pashpërndarë i paraparë për vitin 2024, në vlerë prej 300 milionë denarësh, ose pothuajse 5 milionë euro, për financimin e ngjarjeve.
Këtë shumë Qeveria e kishte mbajtur të fshehtë dhe e zbuloi vetëm pas 8 Shtatorit, pasi BIRN publikoi se festimi ishte financuar nga Lotaria Shtetërore.
Shoqërisë aksionare shtetërore gjithashtu i ishte kërkuar të publikonte shpalljen publike dhe të formonte një komision që do të vendoste për ofertën fituese. Afati për dorëzimin e ofertave ishte pesë ditë pune.
Në thirrje kishte aplikuar vetëm një kompani, “Stardust”, e lidhur me “Avalon”. Pavarësisht afatit të shkurtër, oferta ishte voluminoze, rreth 100 faqe, dhe i elaboronte në detaje ngjarjet.
Në të ishin të njëjtat elemente kryesore që më herët i kishte propozuar Bordi Organizativ i Qeverisë: një yll botëror i muzikës i kategorisë më të lartë, produksion i madh, një yll ndërkombëtar i shoqëruar nga artistë maqedonas dhe një seri ngjarjesh në mbarë vendin.
Lotaria e kishte lidhur kontratën më 8 maj, ndërsa vetëm katër ditë më vonë, më 12 maj, Boban Millosheski, si përfaqësues i “Avalon”, dhe Marija Miteva, si përfaqësuese e Qeverisë, në një konferencë për media njoftuan se pavarësia do të festohej me DJ Guetta dhe prezantuan konceptin.
Për koncertet dhe ngjarjet e tjera u shpenzuan gjithsej 5.5 milionë euro, prej të cilave pothuajse 5 milionë euro u siguruan nga shoqëria aksionare shtetërore, ndërsa pjesa tjetër ishte sponsorizim nga kompani të mëdha.
Funksionarë qeveritarë u përpoqën ta bindnin publikun se paratë e ndara nga Lotaria, kompani në pronësi të plotë shtetërore, nuk janë para të qytetarëve vetëm për shkak se ishin pjesë e fitimit të pashpërndarë të shoqërisë aksionare, pavarësisht faktit se Qeveria, si aksionari i vetëm, i kishte urdhëruar Lotarisë se si dhe për çfarë t’i përdorte ato para.
