Bllokohet deponia “Krasta”, mbeturinat e Kumanovës dërgohen në Kratovë dhe Rankovcë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 8 tetor, Zhurnal.mk – Pas bllokimit të deponisë “Krasta” nga banorët e fshatrave Pçinjë dhe Studena Barë, NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” është detyruar të kërkojë alternativa për deponimin e mbeturinave të grumbulluara në Kumanovë.

Për shkak të bllokadës, mbeturinat e qytetit po transportohen në deponitë e Kratovës dhe Rankovcës. Deri tani janë transportuar rreth 45 tonë mbeturina, kryesisht të grumbulluara nga zona urbane e Kumanovës.

Drejtori i ndërmarrjes, Sasho Tomiq, tha se po bëhen përpjekje që qytetarët të mos përballen me pasojat e situatës së krijuar.

“Po përpiqemi që qytetarët të mos e ndiejnë problemin. Falë mirëkuptimit të komunave fqinje, po vazhdojmë me transportimin e mbeturinave”, deklaroi Tomiq.

Ndërmarrja publike po punon për gjetjen e zgjidhjeve alternative për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa situata mbetet e varur nga tejkalimi i bllokadës në deponinë “Krasta”.

Nga NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” u kanë bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe durim deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për problemin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër