Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, i bëri thirrje opozitës të përfshihet në diskutimet për kompetencat dhe financimin e bashkive, në vijim të reformës së re territoriale.
Nga foltorja e Kuvendit, ku po disktuohen ndryshimet e propozuara nga mazhoranca në hartën administrativo-territoriale, ku parashikohet ulja e numrit të bashkive nga 61 në 45, Mazniku tha se mungesa e opozitës në mbledhjet e komisionit ka ndikuar në ecurinë e punës dhe se, sipas tij, është humbur një pjesë e konsiderueshme e kohës së mandatit të komisionit.
“Nuk erdhën të bënim mbledhjen e parë për 112 ditë. U dogj 41% e kohës dhe mandatit që komisioni kishte”, deklaroi Mazniku.
Ai tha se gjatë punës së komisionit u zhvilluan 11 dëgjesa dhe 23 mbledhje ku u dëgjuan kryetarët e bashkive, ndërsa një grup i përbashkët ekspertësh punoi për përgatitjen e elementeve teknike të reformës.
Mazniku u shpreh se më 15 korrik nuk u arrit dakordësia për prezantimin e gjetjeve të ekspertëve, duke sjellë, sipas tij, një situatë ku duhej zgjedhur mes vijimit të reformës dhe ngecjes së procesit.
“Të fillojmë punën së bashku për kompetencat, financat dhe analizimin”, tha Mazniku, duke ftuar opozitën të angazhohet në fazën e mëtejshme të diskutimeve për organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore.
