Rama: Kamera trupi për çdo inspektor në terren, përmirësojmë sjelljen e administratës me qytetarin

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se së shpejti do të fillojë zbatimi i projektit për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi.

I pranishëm në aktivitetin e prezantimit të Sistemit Unik të Gjobave, Rama u ndal te ky projekt, që sipas tij do të sjellë monitorimin në kohë reale të aktivitetit të çdo inspektori në terren.

“Kamerat e trupit do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe do të jenë po ashtu pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi, tanimë, ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet e gjithë vija e sjelljes së çdo punonjësi të Policisë dhe çdo inspektori në raport me qytetarin dhe të vlerësohen në kohë reale edhe situatat kur është nevoja për mbështetje, kur është nevoja për ndihmë dhe kështu me radhë”, shtoi Rama.

Kryeministri vlerësoi se të gjitha këto së bashku e ngrenë në një nivel tjetër marrëdhënien e qytetarit me shtetin.

“Krijohen kushte tërësisht të reja për të përmirësuar në mënyrë të shpejtë dhe shumë të ndjeshme, të gjithë parametrat e sjelljes së administratës në raport me qytetarin, kur vjen fjala tek marrëdhëniet e drejtpërdrejta në territor. Dhe patjetër që krijojnë po ashtu kushte të reja për të vlerësuar të gjithë parametrat e tjerë të punës: lëvizjet, shpenzimet për karburantin, qëndrimet aktive në punë, në orarin e punës dhe qëndrimet pasive në orarin e punës, e kështu me radhë”, shtoi kryeministri.

Rama vlerësoi punën e AKSHI-t për thellimin e procesit të digjitalizimit me një kompani publike të angazhuar që tanimë, ka dhe një kapacitet të konsiderueshëm burimesh njerëzore të kualifikuara falë edhe sistemit të brendshëm të pagave që ka kompania.

“Besoj që ky është një moment pozitiv për të gjithë institucionet, por nga ana tjetër duhet që të merren masa që zbatimi i gjobave online dhe jo me letra, të realizohet një orë e më parë dhe të mos ketë justifikime për mungesë tabletash, për probleme teknike e kështu me radhë”, shtoi Rama.

artikuj të ndërlidhura