Tiranë, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, me mbështetjen e DCAF-it, zhvilloi një takim me operatorët e rinj të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
AKSK informon se në fokus ishin përgjegjësitë që vijnë me këtë status dhe mënyra se si operatorët do të bashkëpunojnë me AKSK-në për të mbrojtur sistemet e tyre dhe për të reaguar në kohë ndaj incidenteve kibernetike.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, ndër të tjera, shpjegoi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për sigurinë kibernetike”, të cilat parashikojnë që AKSK-ja të ngrejë ekipe sektoriale për reagimin ndaj incidenteve kibernetike (CSIRT). Operatorët e çdo sektori do të kenë kështu një ekip të dedikuar me të cilin mund të ndajnë informacion për kërcënimet, të koordinojnë reagimin në rast incidenti dhe të ndjekin zbatimin e masave mbrojtëse.
Sipas Kazias, projektligji parashikon edhe rritjen e gjobave dhe detyrime shtesë për operatorët që, kur është teknikisht e mundur, të trajtojnë dobësitë e identifikuara në sistemet e tyre dhe të bllokojnë treguesit e komprometimit dhe të sulmit.
Në fjalën e tij, përfaqësuesi i DCAF-it, Rudens Kagjini, vlerësoi bashkëpunimin shumëvjeçar me AKSK-në dhe shprehu gatishmërinë për ta vijuar këtë partneritet edhe në vitin 2027, me fokus te forcimi i kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike.
Në vijim, AKSK do të zhvillojë takime të veçanta me operatorët e secilit sektor për t’i njohur me kërkesat e propozuara dhe për të diskutuar se si mund të përgatiten për zbatimin e tyre.
