Prishtinë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që presidentja e re e vendit, Justina Shiroka Pula të bëjë publike qëndrimet e saj lidhur me disa çështje.
Ky institut i ka radhitur 10 tema, që sipas IKD-së, duhet të dihet qëndrimi i kryetares së shtetit, siç është Kushtetuta dhe funskionimi demokratik i institucioneve.
Gjithashtu, kërkohet të dihet qëndrimi i saj edhe për Gjykatën Speciale.
“Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?”, thuhet në kërkesën e IKD-së.
Gjithashtu, ky institut, ka kërkuar qëndrim të presidentes edhe për partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik, duke drejtuar disa pyetje.
“Si do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? A do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë?”, thuhet tutje.
Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve është tema e katërt, që IKD-ja kërkon që Shiroka Pula të bëjë publik qëndrimin e saj, pasi ka marrë detyrën e presidentes së vendit.
Gjithashtu, kërkohet edhe qëndrimi për kthimin e ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik.
Në pikën e gjashtë dhe shtatë, IKD-ja kërkon që Presidenca të bëjë të ditur qasjen ndaj sundimit të ligjit, drejtësisë dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial, si dhe luftën kundër korrupsionit e mbrojtjes së institucioneve të pavarura.
Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe siguria kombërtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës, janë dy çështjet tjera që kërkohet qëndrimi i presidentes Shiroka Pula.
Gjithashtu, është kërkuar të dihet edhe qëndrimi për të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve.
“IKD vlerëson se Presidentja duhet të sqarojë publikisht edhe qëndrimin e saj për procesin nëpërmjet të cilit është zgjedhur. Në veçanti, ajo duhet të deklarohet nëse vlerëson se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare, si dhe nëse do të respektojë çdo vlerësim juridik e kushtetues lidhur me këtë process në qoftë se do të iniciohet rast në Gjykatën Kushtetuese.”, thuhet nga IKD.
Ndryshe, sa ishte kryetare e ASHAK-ut, Justina Shiroka Pula kishte reaguar ndaj aktgjykimit dënues të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Ajo kishte thënë se vendimi i obligon institucionet e vendit që të reflektojnë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
“Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive.Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik”, kishte shkruar ajo në Facebook.
Pula kishte thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë dhe se proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri.
