Prishtinë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se të mërkurën ka pritur në zyrën e tij ish-futbollistin e FC Prishtinës, Xhevdet Muriqi, me të cilin ka biseduar për futbollin e viteve ’80 dhe zhvillimet e fundit të përfaqësueses së Kosovës.
Kurti ka thënë se Muriqi, pjesë e “brezit të artë” të Prishtinës, pas 28 vjetësh jetë e punë në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, është rikthyer vitin e kaluar për të jetuar në Kosovë.
“Dje prita në zyrë Xhevdet Muriqin, futbollistin e brezit të artë të Prishtinës së viteve të 80-ta. Pas 28 vjet jetë e punë në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, Xhevdet Muriqi është rikthyer vjet për të jetuar në Kosovë. Biseda jonë e përzemërt na ktheu te ndeshjet dhe emocionet e asaj kohe. Te stadiumi i mbushur përplot, te publiku që jetonte me lojën dhe te golat që ende i kujtojmë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar se gjatë takimit kanë folur edhe për vëllain e Muriqit, Fadil Muriqin, i cili jeton në Australi, si dhe për ish-futbollistë dhe trajnerë të tjerë të njohur.
“Folëm edhe për vëllain e tij, Fadil Muriqin që jeton në Australi, për kolegët, Fadil Vokrrin, Kujtim Shalën, trajnerin Qiro Bllazheviq dhe të tjerët”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka kujtuar edhe rolin që kishte FC Prishtina për tifozët dhe qytetarët e Kosovës në atë periudhë.
“FC Prishtina na mblidhte në stadium, por edhe pranë radios e televizorit. Fitoret dhe sukseset e klubit, por edhe ngecjet e humbjet, i ndienim e përjetonim si tonat. Ishte futboll, ishte edhe krenari”, ka shkruar ai.
Kurti ka bërë të ditur se me Muriqin kanë diskutuar edhe për paraqitjet e fundit të Kosovës dhe ndeshjet që e presin përfaqësuesen gjatë muajit nëntor.
“Nga ndeshjet e së kaluarës, kaluam edhe tek ato që po i ndjekim sot. Biseduam për paraqitjet e fundit të Kosovës, për ngritjen e përfaqësueses dhe për ndeshjet e radhës që na presin gjatë nëntorit”, ka përfunduar Kurti.
