Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e priti në takim veprimtarin Selami Bajrami

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, e priti në takim veprimtarin nga Kumanova, z. Selami Bajrami, përfaqësues i Shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në Zvicër.

Në këtë takim morën pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Tetovës, z. Adem Beadini, dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu, si dhe profesorët Prof. Dr. Zeqirja Idrizi dhe Prof. Dr. Minir Ademi.

Takimi u zhvillua në frymën e vlerësimit të kontributit të personaliteteve dhe veprimtarëve që, në periudha të rëndësishme të historisë së Universitetit të Tetovës, u rreshtuan në mbështetje të misionit të tij arsimor, shkencor dhe kombëtar. Në këtë kuadër, u vlerësua veçanërisht kontributi i z. Selami Bajrami, i cili, së bashku me shumë veprimtarë të tjerë, dhanë mbështetje të çmuar për Universitetin gjatë viteve të vështira të funksionimit, mbijetesës dhe konsolidimit të tij.

Duke e vlerësuar këtë kontribut si pjesë të kujtesës institucionale dhe historike të Universitetit të Tetovës, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i ndau z. Selami Bajrami një mirënjohje, në shenjë falënderimi dhe respekti për përkushtimin, mbështetjen dhe kontributin e tij ndër vite.

Me këtë rast, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti theksoi se Universiteti i Tetovës e konsideron detyrim institucional dhe përgjegjësi historike ruajtjen e kujtesës për të gjithë ata individë dhe veprimtarë që, në momente vendimtare, kontribuuan në themelimin, mbijetesën, forcimin dhe zhvillimin e tij.

“Universiteti i Tetovës nuk është vetëm një institucion arsimor e shkencor; ai është edhe rezultat i një përpjekjeje të përbashkët, e cila në momente të caktuara historike kërkoi përkushtim, sakrificë dhe mbështetje të jashtëzakonshme. Prandaj, kontributet e njerëzve që qëndruan pranë Universitetit në ato periudha duhet të jenë pjesë e pandashme e kujtesës sonë institucionale.”- u shpreh Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në takim u theksua edhe rëndësia historike e mbështetjes së mërgatës shqiptare për Universitetin e Tetovës. Në këtë drejtim, u vlerësua roli i Shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në Zvicër, e cila ndër vite ka qenë një nga format e organizuara të përkrahjes së Universitetit dhe ka dhënë kontribut në mbështetjen e veprimtarisë së tij.

Universiteti i Tetovës, duke ruajtur kujtesën për rrugëtimin e tij, vijon të nderojë personalitetet dhe veprimtarët që kanë lënë gjurmë në historinë e tij, duke e konsideruar mirënjohjen ndaj tyre jo vetëm një akt respekti, por edhe një detyrim ndaj kujtesës institucionale dhe brezave të ardhshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër