Muja në Maqedoninë e Veriut, fokus bashkëpunimi në bujqësi dhe siguri ushqimore

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me homologun e tij, ministrin Borçe Serafimovski, zëvendësministrin Albrim Hoxha dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore.

Në kuadër të vizitës, Muja, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, dhe drejtoresha e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Venera Çerkini, ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në sektorin e bujqësisë, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore e ushqimore.

Fokus i veçantë i takimeve ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë ushqimore, përfshirë harmonizimin e procedurave të kontrollit dhe certifikimit, shkëmbimin e informacionit, kontrollet zyrtare në kufi dhe tregun e brendshëm, si dhe gjurmueshmërinë e produkteve.

Ministri Muja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve për krijimin e kushteve më të favorshme për fermerët dhe bizneset.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për krijimin e kushteve më të favorshme për fermerët dhe bizneset, zhvillimin e tregtisë së ndërsjellë dhe garantimin e standardeve të larta të sigurisë ushqimore.”

Gjatë takimeve është diskutuar edhe për koordinimin në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve për shëndetin e konsumatorëve, si dhe për përmirësimin e komunikimit ndërmjet autoriteteve kompetente.

Po ashtu, palët kanë shkëmbyer përvoja lidhur me politikat e mbështetjes së fermerëve, zhvillimin rural, modernizimin e prodhimit bujqësor dhe përafrimin e politikave sektoriale me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.

Muja ka vlerësuar se forcimi i bashkëpunimit institucional dhe rajonal kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve.

“Synimi ynë është që përmes bashkëpunimit rajonal dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian të krijojmë më shumë mundësi për fermerët, të lehtësojmë qarkullimin e produkteve dhe të garantojmë standarde të larta të sigurisë ushqimore.”

Vizita zyrtare në Maqedoninë e Veriut synon forcimin e komunikimit institucional dhe bashkëpunimit rajonal, me fokus në zhvillimin e sektorit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve dhe avancimin e integrimit evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër