Bejrut, 08 tetor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian mbështet zgjatjen e mandatit të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor, UNIFIL, duke paralajmëruar për rrezikun e krijimit të një mungese sigurie, nëse forcat ndërkombëtare largohen pa një alternativë të qëndrueshme.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e bëri deklaratën gjatë vizitës së saj në Liban, në një intervistë për AFP.
“Dua të jem e qartë se për çfarë nuk bëhet fjalë në këtë mision. Nuk është një zëvendësim i UNIFIL-it, Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban dhe nuk do të përqendrohet vetëm në Libanin jugor”, tha Kallas.
“Më shumë se 10 shtete anëtare të BE-së janë të gatshme të kontribuojnë me personel dhe burime”, tha Kallas.
Ajo tha se BE-ja kishte marrë një ftesë zyrtare nga autoritetet libaneze dhe se priste që ministrat e jashtëm të BE-së, ta themelonin zyrtarisht misionin më 12 tetor.
Kallas theksoi gjithashtu se nuk mund të ketë boshllëk sigurie, kur UNIFIL të përfundojë misionin e saj.
“UNIFIL ka luajtur një rol të rëndësishëm për gati 50 vjet”, tha ajo, duke shtuar se diskutimet po vazhdonin për atë që do të pasonte forcën paqeruajtëse.
“BE-ja mbetet e gatshme të punojë me Libanin dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rregullimet për periudhën pas UNIFIL-it”, tha Kallas.
“Libani duhet të ketë kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e tij”, tha ajo.
Mandati aktual i UNIFIL-it është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së deri më 31 dhjetor 2026.
Rezoluta 2790, e miratuar në vitin 2025, parashikon që misioni të nisë pas kësaj date një tërheqje të organizuar dhe të sigurt, e cila do të zhvillohet gjatë vitit 2027.
Megjithatë, zhvillimet e fundit në terren kanë shtuar shqetësimet se largimi i UNIFIL-it mund të krijojë rrezik për destabilizimin e Libanit jugor.
Vetë UNIFIL deklaroi më 1 tetor se largimi i misionit në rrethanat aktuale, pa një mekanizëm alternativ të fuqishëm, mund të krijojë një “mungesë të rëndësishme sigurie”.
UNIFIL, ose Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban, është një mision paqeruajtës i OKB-së, që vepron në Libanin jugor që prej vitit 1978.
Pas luftës Izrael-Hezbollah në vitin 2006, mandati i tij u zgjerua, duke përfshirë monitorimin e ndërprerjes së luftimeve, mbështetjen për ushtrinë libaneze dhe përpjekjet për të ruajtur stabilitetin, përgjatë vijës kufitare mes Libanit dhe Izraelit.
Sipas OKB-së, misioni gjithashtu ndihmon në lehtësimin e aksesit humanitar, monitoron zhvillimet në terren dhe përdor kanalet e komunikimit me palët, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Rezoluta 2790 i kërkon gjithashtu Izraelit të tërheqë forcat e tij në veri të Linjës Blu, ndërsa autoritetet libaneze duhet të vendosin forcat e tyre në zonat përkatëse dhe të forcojnë kontrollin shtetëror në jug të vendit.
