Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informoi se gjatë mëngjesit të sotëm, disa institucione të administratës publike qendrore dhe vendore kanë marrë emaile me përmbajtje kërcënuese.
Sipas AKSK-së, pas analizës së kryer nga strukturat teknike të AKSK-së, në koordinim me Policinë e Shtetit, nuk rezulton të ketë rrezik për sigurinë e personave apo të infrastrukturës së institucioneve.
“Mesazhet janë pjesë e një fushate të koordinuar, e cila ndjek një model të evidentuar edhe në të kaluarën dhe synon përhapjen e dizinformimit dhe shkaktimin e kaosit”, njoftoi AKSK.
AKSK sqaroi më tej se shpërndarja kryhet masivisht drejt adresave elektronike të publikuara në faqet zyrtare të institucioneve dhe në burime të tjera online.
“Përdorimi i këtyre adresave nuk nënkupton akses në sistemet apo llogaritë institucionale”, theksoi AKSK.
AKSK u rekomandon marrësve “të mos u përgjigjen emaileve dhe të mos i përcjellin te persona të tjerë brenda apo jashtë institucionit; të mos hapin lidhje ose bashkëngjitje, nëse ka të tilla; të mos kryejnë asnjë veprim të kërkuar në mesazhe”.
“Situata është nën kontroll dhe, bazuar në vlerësimin e kryer, nuk ka arsye për shqetësim”, nënvizoi AKSK.
