Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Me mbështetjen financiare të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Shoqata KS Factor përmbylli “Programin për Fuqizim Ekonomik dhe Vetëpunësim të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë”.
Programi u përfundua nga 12 pjesëmarrës, të cilët zhvilluan njohuri dhe aftësi në sipërmarrje, edukim financiar, modelim biznesi, marketing dhe prezantim të ideve të tyre ekonomike. Përmes trajnimit dhe mentorimit, pjesëmarrësit u mbështetën në kalimin nga një ide fillestare drejt hartimit dhe prezantimit të një projektideje konkrete biznesi.
Programi përfshiu shtatë module trajnimi, angazhimin e gjashtë ekspertëve dhe një vizitë studimore në Bankën e Shqipërisë. Procesi u organizua në pesë faza: përzgjedhja, trajnimi, mentorimi, parapërgatitja dhe prezantimi final.
Në aktivitetin përmbyllës, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikatat, duke vlerësuar angazhimin e tyre gjatë ciklit të trajnimit dhe zhvillimit të projektideve. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, dhe Kryetari i Sindikatës së Policëve të Shqipërisë, Sadetin Fishta.
Mbështetja financiare e AAPSK-së mundësoi realizimin e një programi të dedikuar për familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, me synim forcimin e aftësive të tyre për të zhvilluar mundësi vetëpunësimi dhe veprimtari ekonomike.
Në përfundim të programit, pjesëmarrësit kanë në dispozicion njohuri, mjete dhe materiale konkrete për të vijuar zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.
