Kujdesi paliativ në Korçë, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës vizitë për të përfituar nga përvoja

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 tetor Zhurnal.mk – Përvoja e Qendrës së Kujdesit Paliativ “Mary Potter” në Korçë është vënë në fokus të një vizite studimore dhe workshop-i me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës. Aktiviteti zhvillohet në kuadër të hartimit të Planit të Veprimit për Kujdesin Paliativ në Kosovë, me synim njohjen me praktikat e aplikuara në Korçë dhe mundësinë e përshtatjes së tyre në sistemin shëndetësor kosovar.

“Ne jemi në fazën e hartimit të politikave shëndetësore dhe, nëse një politikë shëndetësore nuk bazohet në eksperiencë dhe nuk merr përvojë nga vendet e tjera, nuk mund të jetë e suksesshme. Kjo do të na shërbejë që qytetarët tanë, të cilët kanë nevojë për kujdes paliativ në stadin terminal të jetës, të kenë mundësi ta përjetojnë këtë fazë sa më dinjitetshëm dhe t’u lehtësohen dhimbjet. Në fakt, ky është një cikël që nis me lindjen dhe përfundon me fundin e jetës, gjatë të cilit njeriu ndjen se vërtet është dikush nga shoqëria që kujdeset për të”, u shpreh Dr. Shaban Osmanaj, Udhëheqës i Kujdesit Shëndetësor Parësor, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit u njohën nga afër me organizimin e shërbimeve në qendrën “Mary Potter”, kujdesin multidisiplinar, sistemin e referimit dhe mbështetjen që u ofrohet pacientëve dhe familjarëve të tyre. Në takim u diskutuan gjithashtu sfidat e këtij shërbimi, nevojat për burime njerëzore, trajnimi i stafit dhe qëndrueshmëria e kujdesit paliativ.

“Detyra e Qendrës Mari tashmë nuk është vetëm të ofrojë një shërbim cilësor, ashtu siç bën për komunitetin në të gjithë rajonin e Korçës, por edhe t’i ndajë këto aftësi, njohuri, përkushtim dhe gjithçka që kemi me kolegët e tjerë, qoftë në Kosovë, qoftë në vende të tjera të rajonit. Kjo, sepse ne jemi pjesë e grupit ndërkombëtar të kujdesit paliativ dhe jemi përfshirë në veprimtari advokuese. Advokacia do të thotë të ndihmosh në zhvillimin e këtij shërbimi dhe ta bësh atë të aksesueshëm kudo ku ka njerëz dhe pacientë në nevojë për këtë shërbim”, tha Dr. Irena Laska, Drejtuese e Qendrës së Kujdesit Paliativ “Mary Potter”.

Shkëmbimi i përvojave synon të ndihmojë në identifikimin e praktikave që mund të shërbejnë si referencë për zhvillimin e mëtejshëm të kujdesit paliativ në Kosovë. Vizita studimore do të pasojë hartimin e rekomandimeve që do të kontribuojnë në finalizimin e Planit të Veprimit për Kujdesin Paliativ në Kosovë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër