Tragjedi në Turqi, të paktën 11 të vdekur dhe 27 të plagosur pas përplasjes së një autobusi me një vinç

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Një tragjedi ndodhi mëngjesin e së dielës në zonën e Akhisarit, në provincën e Manisës, në Turqi, ku një autobus turistik u përplas me një vinç, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 11 personave dhe plagosjen e 27 të tjerëve.

Sipas mediave turke, përfshirë TRT Haber, aksidenti i rëndë ndodhi pranë pikës së pagesës së Akhisarit, në autostradën Gebze–Orhangazi–Izmir.

Në pamjet filmike nga vendngjarja, autobusi shihet i përmbysur. Ekipet e shpëtimit thyen xhamat e mjetit për të nxjerrë pasagjerët. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës dhe disa ambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan në spitale për të marrë ndihmën mjekësore.

Deri më tani, shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik nuk janë bërë ende të qarta.

Reagimi i autoriteteve

Guvernatoria e Manisës publikoi një deklaratë lidhur me ngjarjen.

“Ekipet mjekësore dhe të shpëtimit janë dërguar në vendngjarje, ndërsa operacionet për shpëtimin e qytetarëve të prekur nga aksidenti nisën menjëherë. Si pasojë e aksidentit, 11 qytetarë humbën jetën, ndërsa 27 të tjerë u plagosën. Të plagosurit janë transportuar në spitale. Po e ndjekim nga afër situatën, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse”, thuhet në deklaratë.

Edhe ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër