Bie mbështetja në vendet e BE-së për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Berlin, 13 tetor, Zhurnal.mk – Mbështetja për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme ka rënë në të gjithë bllokun, ndonëse shumica e ukrainasve vijojnë të mbështesin anëtarësimin e shpejtë të vendit të tyre, sipas një sondazhi të fondacionit “Bertelsmann”.

Sipas sondazhit, 83% e ukrainasve dëshirojnë që vendi i tyre t’i bashkohet BE-së në vitet e ardhshme, ndërsa vetëm 47% e qytetarëve të Bashkimit Evropian mbështesin anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës.

Ndërkohë, 53% e qytetarëve të BE-së janë kundër anëtarësimit të shpejtë.

Gjermania, e cila i ofron Ukrainës më shumë mbështetje ushtarake dhe financiare se çdo vend tjetër evropian, renditet ndër vendet më skeptike mes 10 shteteve më të mëdha anëtare të BE-së.

Vetëm 41% e gjermanëve mbështesin anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës, ndërsa Rumania regjistron një përqindje edhe më të ulët, prej 40%.

Suedia shënon nivelin më të lartë të mbështetjes mes vendeve të mëdha të BE-së, me 69%.

Në fillim të pushtimit rus në shkallë të plotë, në vitin 2022, 60% e gjermanëve mbështesnin anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE.

Fondacioni e ka përsëritur rregullisht sondazhin dhe, që prej asaj kohe, mbështetja ka rënë si në vende të veçanta, ashtu edhe në të gjithë Bashkimin Evropian.

Anëtarësimi i Ukrainës mbetet një objektiv zyrtar i BE-së dhe konsiderohet një nga shtyllat kryesore të rendit të ardhshëm të sigurisë evropiane.

Sipas fondacionit, kapërcimi i hendekut mes këtij objektivi dhe opinionit publik do të kërkojë një dialog më të thelluar mes drejtuesve politikë dhe qytetarëve.

Fondacioni thekson gjithashtu se rëndësia strategjike e integrimit të Ukrainës duhet të shpjegohet në mënyrë më bindëse.

Sondazhi përfshiu 16 795 persona nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe u zhvillua në qershor, nëpërmjet platformës së kërkimit të opinionit publik “Eupenios”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër