Kita dhe Kindergarden
Gjatë kohës së qëndrimit në Kita djalit tim i mësonin aftësitë lëvizëse të mëdha dhe të imta, që janë të mësuarit për të ecur apo të mësuarit për të mbajtur lugën dhe pirunin. Asnjërën nga këto nuk ja mësuan sepse gjithçka ishte e parashikuar sipas një programi bazë të planifikuar, gjithçka aty mësohet përmes lojës, pra të mësosh duke luajtur.
E gjitha kjo bëhet qëllimisht. Gjëja më e rëndësishme që mësohet në Kita janë aftësitë emocionale dhe të koordinimit social në një grup, për të qënë gati-për-shkollë. Nuk është realisht mësimi i ABC-s apo i numrave – por është të mësosh si të komunikosh, të mësosh si të kërkosh ndihmë, si të pranojnë gabimet, si të zgjidhin problemet dhe zënkat. Këto janë bazat që u duhen përpara se të jenë gati për shkollë.
Në Gjermani kjo vazhdon edhe më tutje, në kindergarden, që vjen pas Kitas nuk lejohet në mënyrë kategorike mësimi i koncepteve shkollore, siç janë shkronjat dhe numrat e të tjera të kësaj natyre.
Gjermanët kanë një teori të tyren në lidhje me përshpejtimin e procesit të nxënies:
Mirë apo keq, shumica e ekspertëve thonë se nuk është një gjë e mirë t’i shtyjmë fëmijët në një stad tjetër përpara se të jenë gati. “Zhvillimi do të ndodhë një moment patjetër”, më thoshte një ditë një pediatër. “Ti nuk mund ta detyrosh atë të shpejtojë, e as nuk mund ta ndalosh atë kur të fillojë”. Eksperi i fëmijëve, Remo Largo, ka një shprehje që e përmbledh bukur gjithë këtë: “Bari nuk rritet më shpejt edhe nëse e tërhiqni atë.”
Fëmijë që mbajnë përgjegjësi
Një gjë tjetër e mrekullueshme ndodh kur i lejojmë fëmijët e vegjël që të vendosin vetë se çfarë duan të mësojnë. Ata bëhet shumë të interesuar.
Në Kitan tonë, procesi i të mësuarit ishte pothuajse i gjithi i drejtuar nga fëmijët. Në disa raste edukatorët mund të vërenin se fëmijët po diskutonin me njëri tjetrin në lidhje me një temë të nxehtë. Për shembull, kur rastisi kampionati botëror i futbollit, në vend që ta largonin, edukatorët krijuan një temë pikërisht për fussball “futbollin”. Njëherë vajza ime pati sugjeruar si temë mësimi “zemrën e njeriut” në këtë rast jo të gjithë fëmijët ishin të gatshëm të mësonin diçka kaq specifike kështu që edukatorët e zgjeruan temën nga zemra tek trupi i njerit, kështu të gjithë fëmijët shfaqnin interes.
Eskursionet
Përpara se të vinim në Gjermani, nuk do të kisha mundur kurrë as ta çoja në mendje që ta lejoja fëmijën tim të vogël ta kalonte natën diku tjetër pa mua. Por shumë shpejt, unë mësova se në Gjermani, fëmijët edukohen që të vegjël me konceptin e ubernachten (“overnights”, “kalim nate”) me gjyshërit, me shokët e tjerë, ose edhe me ata të kopështit.
Në çerdhen ku çoja vajzën time, përpara se ajo të bëhej 4 vjeçe, një edukator i ri ofroi që t’i merrte fëmijët në një kamp për dy netë. Kjo më bëri mua, ashtu si edhe shumë prindër të tjerë, mjaft nervozë e të stresuar, por në fund të gjithë pranuan.
Fillimi i shkollës
Ne isha mësuar që dita e diplomimit është një festë e madhe që duhet celebruar, por në Gjermani nuk është kështu, në fakt, është e kundërta, në Gjermani është dita e parë e shkollës që është festë e madhe, madje, një celebrim më i madh sesa dita e diplomimit.
Shkëputja ose pavarësimi i fëmijëve nga prindërit i shenjuar nga fillimi i shkollës do të përforcohej akomë më shumë pas pak javësh kur e gjitha klasa e vajzës sime do të niseshin për një udhëtim 1 javor sëbashku. Unë isha mësuar me kalimin e një nate gjatë kohës në Kita, por tani nuk ishin një apo dy netë, por 1 javë e tërë, për një 6 vjeçare. Unë s’e kisha provuar kurrë diçka të tillë kur kam qënë fëmijë vetë. Por në Berlin, këto udhëtimet e klasave në fillim të vitit ishin një praktikë e përbashkët dhe e zakonshme për të gjitha shkollat fillore. (Besoj se tashmë është e qartë se kjo lidhet direkt me konceptin e fillimit, self-reliance, të bëhesh i zoti i vetes).
Procesi i të mësuarit
Fëmijët atje nuk nxiten që të përparojnë shpejt, sepse pas klasës së pestë bëhet përsëri një ndarje sipas kapaciteteve dhe arritjeve, duke e lejuar çdo nxënës të ecë sipas ritmeve të kapacitetit të tij.
Pavarësisht theksit te përgjegjësia, shkolla e vajzës sime nuk jepte detyra shtëpie pothuajse fare. Në fakt, në klasën e parë, ajo s’ka patur fare.
“Interferon me kohën e familjes,” u ankua një nënë.
Ekspertët e edukimit në Gjermani thonë se detyrat e shtëpisë keqësojnë edhe më tej pabarazinë sociale. Nëse një fëmijë nuk e kuptuar mësimin në shkollë, ajo i ka gjasat shumë të vogla që ta kuptojë e vetme kur të kthehet në shtëpi – çka përbën një pikë të fortë avantazhi për fëmijët të cilët vijnë nga një status më i privilegjuar që i kanë prindërit më të arsimuar.
Nuk ekziston moti i keq
Gjermanët kanë një shprehje “Nuk ka mot të keq, ka vetëm veshje të papërshtatshme”.
Rëndësia e nevojës së domosdoshme për ajër të pastër i ka rrënjët thellë në Evropë. Në kontratën time të qerasë ishte një nen që thoshte se duhet t’i hapnim dritaret për ta ajror shtëpinë çdo ditë, sistematikisht. Çdo gjerman që kam njohur e bënte këtë gjë, edhe në mes të dimrit. Madje, ata sigurohen që edhe fëmijët e tyre të dalin jashtë në ajër të pastër të paktën 1 herë në ditë, pavarësisht motit.
Lirshmëria për të lëvizur
Kur vajza ime u regjistrua në shkollë, një ditë në postën time erdhi edhe një letër në të cilën shkruheshin këshilla për fillimin e shkollës e ndër to edhe një kërkesë që specifikonte që prindërit nuk duhet t’i shoqërojnë fëmijët për në shkollë. Ata duhet vetëm t’ua mësonin rrugën për të shkuar në këmbë dhe pastaj të mos i shoqëronin fëmijët.
Fëmijët gjermanë mësojnë sesi të qarkullojnë nëpër rrugët e qytetit me prindërit e tyre dhe mësuesit. Krahas matematikës, leximit, dhe lëndëve të tjera, shkollat fillore të Berlinit kanë kurrikula specifike për “trafikun dhe edukimin e qarkullit.”
E njëjta gjë vlen edhe për supermerkatën. Nuk ndodh të shohësh fëmijë në gjermani që shoqërohen nga prindërit për në supermerkatë, ata shkojnë vetëm ose me ndonjë shok apo shoqe.
Prindërit gjermanë nuk janë kavalierë të çmendur që i lejojnë fëmijët të lëvizin vetëm. Kur e pyeta një nënë gjermane Annekatherin, me rastin e festës së gruas, ajo më tha se e urrente kur fëmijët e saj, që ishin 8 dhe 10 vjeç, shkonin vetëm tek shtëpia e gjyshes, një udhëtim që kërkonte 4 ndalesa në U-Bahns në Berlin. Por pse i lejonte ajo atëherë?
Arsyetimi i saj ishte mjaft i thjeshtë: “Unë dua që ata të fitojnë pavarësi dhe krenari për atë që arrijnë të bëjnë,” tha ajo. “Nëse unë jam gjithmonë me ta, ata s’do të mundeshin kurrë!”
Dhe për ta mbyllur, leksioni më i madh që unë mora në Gjermani është se fëmijët e mi nuk më përkasin realisht mua. Ata i përkasin fillimisht dhe përpara së gjithash vetes së tyre. Unë e dija këtë gjë më përpara në nivel intelektual, por kur pashë gjermanët që këtë princip e vinin në praktikë, atëherë e pashë sesi filloi të ndryshonte sjellja ime.
