Qeveria miraton Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i cili synon përmirësimin e mbrojtjes së qytetarëve dhe reagimit institucional ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se përmes këtij projektligji synohet të sigurohet mbrojtje më e mirë për qytetarët, ndihmë më e shpejtë dhe koordinim më i mirë ndërmjet strukturave përgjegjëse.

“Pika e dytë është shqyrtimi i projektligjit për agjencinë e menaxhimit të emergjencave. Me këtë projektligj synojmë që qytetarët të kenë mbrojtje më të mirë dhe ndihmë më të shpejtë përballë fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera. Duke qartësuar përgjegjësitë dhe financimin e agjencisë së menaxhimit të emergjencave, krijojmë pushtetet për përgatitje më të mirë dhe veprim të koordinuar të strukturave të shpëtimit dhe mbrojtjes në të gjithë vendin tonë. Me këtë projektligj, mbrojtjen e jetës dhe të pronës së qytetarëve e vendosim mbi përgjegjësi të qarta institucionale, sepse në emergjenca çdo vonesë mund të ketë pasoja të pakthyeshme”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë prezantimit të projektligjit, tha se ai përcakton kornizën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, si dhe përgjegjësitë institucionale në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat e tjera.

“Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e kornizës ligjore për statutin, organizimin dhe funksionimin e agjencisë së menaxhimit të emergjencave, si agjenci ekzekutive në kuadër të ministrisë së punëve të brendshme, si dhe qartësimin e përgjegjësive institucionale në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Projektligji përcakton kompetencat e agjencisë në vlerësimin dhe zvogëlimin e rreziqeve, planifikimin e masave për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë, organizimin e sistemeve të monitorimit, paralajmërimit dhe alarmimit, si dhe hartimin e planit kombëtar të reagimit emergent, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përkatëse. Gjithashtu, përmes këtij projektligji rregullohen organizimi, pajisja dhe përgatitja e strukturave të mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, koordinimi dhe mbikëqyrja e tyre, zhvillimi i programeve për ushtrime dhe vlerësimi i gatishmërisë kombëtare. Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe krijimit dhe mirëmbajtjes së rezervave materiale kombëtare, si dhe informimit të komunitetit për parandalimin dhe gatishmërinë ndaj emergjencave”, tha Sveçla.

Ai theksoi se miratimi i projektligjit synon të krijojë bazë të qartë ligjore për ushtrimin e përgjegjësive të agjencisë, të përmirësojë koordinimin ndërmjet institucioneve dhe të forcojë kapacitetet për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave.

“Miratimi i këtij projektligji synon të sigurojë një bazë të qartë ligjore për ushtrimin e përgjegjësive të agjencisë, të përmirësojë koordinimin ndërmjet strukturave përkatëse dhe të kontribuojë në forcimin e kapaketeve institucionale për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave. Të nderuar anëtarë të kabinetit, ju ftoj që ta miratoni këtë projektligj duke marrë parasysh rëndësinë e AME-së në përmbushjen e përgjegjësive të saj në nivel vendi”, shtoi Sveçla.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër