Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj draftin e Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për vitet 2026-2028, përmes të cilit do të shqyrtohet zbatimi i 21 ligjeve, me qëllim të vlerësimit të rezultateve dhe ndikimit të tyre në jetën e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se përmes këtij programi do të analizohet nëse ligjet po i përmbushin objektivat për të cilat janë miratuar, si dhe do të identifikohen pengesat dhe ndryshimet e nevojshme.
“Të nderuar kolegë, anëtarë të kabinetit qeveritar, me programin e vlerësimit ex-post për vitet 2026-2028, do të shqyrtojmë zbatimin e 21 ligjeve për të parë nëse po japin rezultatet për të cilat janë miratuar dhe çfarë ndikimi kanë në jetën e qytetarëve. Kjo do të thotë të certifikojmë e të vërtetojmë se çfarë funksionon, ku ka pengesa dhe çfarë duhet të ndryshojmë, duke u mbështetur në rezultate konkrete të zbatimit. Përgjegjësia jonë nuk përfundon me miratimin e një ligji, ajo vazhdon edhe me matjen e ndikimit të tij, korrigjimin e mangësive, sepse qytetarët duhet ta ndiejnë dobinë e ligjeve në jetën e përditshme dhe në këtë mënyrë të instalojmë protokolle e procedura të cilat janë gjithnjë e më të mira në të ardhmen”, tha Kurti.
