Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është sot në një pikë kthese. Mandati i ri nuk është thjesht një rotacion institucional por një provë e madhe për sistemin e drejtësisë se a do të mbështetet vizioni i reformës, apo do të vazhdojë ngecja e zakonshme? Në këtë dilemë, kandidatura e Faton Azizit shpalos një program të qartë, të strukturuar dhe të matshëm, që e vendos prokurorinë në binarët e profesionalizmit dhe llogaridhënies, shkruan Zhurnal.
Cili është vizioni i Faton Azizit?
Azizi e sheh Prokurorinë jo si një “ishull të fortë”, por si një institucion që forcon gjithë sistemin e prokurorisë publike. Ai propozon një model të qartë dhe konkret për institucionin që synon ta udhëheq.
Sipas Faton Azizit, institucioni është i pavarur dhe i fortë, duke garantuar standarde të barabarta për çdo lëndë, pavarësisht nga pushteti politik apo ekonomik. Derisa kapaciteti hetimor modernizohet, duke ndjekur parimin “Ndiqi paratë” dhe duke përfshirë ekspertizën digjitale, kriptovalutat dhe mekanizmat e sofistikuar të fshehjes së pasurisë.
Prokuroria bëhet partner profesional, duke ndarë njohuri dhe praktika me prokuroritë e tjera, për të mos lejuar që kufiri shtetëror të jetë kufiri i hetimit financiar.
Tutje Azizi vlerëson se njerëzit dhe dija vendosen në qendër, me trajnime të vazhdueshme, kulturë bashkëpunimi dhe një institucion që mëson e zhvillohet pa pushim. Rezultatet maten dhe analizohen, duke e lidhur efikasitetin jo vetëm me numrin e lëndëve, por me kohëzgjatjen, cilësinë e hetimeve dhe transparencën e vendimeve.
Nga parimet te praktika e përditshme
Programi i Azizit nuk është një listë premtimesh abstrakte, por një plan konkret nga fillimi deri në fund.
Viti i parë: hartimi i Planit Strategjik me objektiva dhe tregues të matshëm.
Gjatë mandatit: ndjekja e realizimit përmes planeve operative dhe analizës së rezultateve.
Në fund të mandatit: vlerësimi sipas ndryshimeve të qëndrueshme që janë kthyer në praktikë të përditshme.
Ky është një model që e lidh vizionin me llogaridhënien, duke e bërë të qartë se suksesi nuk matet me retorikë, por me rezultate të prekshme.
Prandaj, duhet pasur të qartë prokurorët shqiptarë si pjesë e këtij sistemi dhe të gjithë prokorurët tjerë janë sot para një zgjedhjeje të qartë të rreshtohen pas vizionit të Faton Azizit, ose të lejojnë që ngecja të vazhdojë. Vizioni i tij nuk është vetëm një program personal por një mundësi për ta kthyer Prokurorinë në një shtyllë të besueshme të sundimit të ligjit.
Nëse ky vizion mbështetet, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion mund të bëhet një institucion që jo vetëm ndjek krimin, por edhe e parandalon atë, që jo vetëm reagon por edhe vepron proaktivisht, që jo vetëm raporton por edhe jep llogari hapur. Faton Azizi ka shpalosur vizionin e tij tani u mbetet prokurorëve ta bëjnë vlerësimin mes vizionit dhe ngecjes. /Zhurnal.mk
