Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një grupi punues për bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procedurat e Apelit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet nga Qeveria i padrejtë juridikisht dhe moralisht, duke theksuar nevojën për një strategji shtetërore dhe kombëtare për procesin e Apelit.
“Aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsiderojmë të padrejtë juridikisht dhe moralisht, me pasaktësi faktike dhe historike, prandaj edhe punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e apelit. Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.Për këtë arsye, sot po themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet të cilat i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha Kurti.
Grupi punues do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërsa do të përfshijë përfaqësues institucionalë dhe parlamentarë.
Gjykata Speciale i pati dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim.
Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.
Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim.
Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Dhe Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme
