Editorial / A po i vjen fundi zgjidhjes së problemit të provimit shqip të jurisprudencës!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 tetor – Pas disa përpjekjeve për të gjetur zgjidhje për provimin shqip të jurisprudencës, së fundmi ministri i drejtësisë Jeton Shasivari ka marrë vendim që të ftojë studentët në takim dhe të diskutojnë mënyrën e zgjidhjes së këtij problem që bëri kaq shumë zhurmë në opinion. Studentët me të drejtë kanë protestuar dhe insistojnë që ky provim të mbahet edhe në gjuhën shqipe, sepse është e grantuar me ligj. Përpjekjet nga të dyja palët janë për t’u vlerësuar, por më e rëndëishmja është që kjo çështje të marrë një zgjidhje finale, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ministri Shasivari i fton në takim studentët

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, më 6 tetor 2026, ka dërguar ftesë zyrtare për përfaqësuesit e studentëve dhe dekanët e pesë Fakulteteve juridike të pesë Universiteteve në vend, për një takim konsultativ dhe informues, ku do të prezantohen dhe në mënyrë praktike do të sqarohen zgjidhjet e propozuara ligjore. Takimi do të mbahet ditën e hënë, më 19 tetor, në orën 11:00, në Ministrinë e Drejtësisë, thuhet në njoftim.

Takimi vjen në kuadër të angazhimeve ligjore të Ministrisë së Drejtësisë për trajtimin institucional të kërkesave të studentëve të pesë fakulteteve juridike në vend. Ndryshe nga qasja e ministrit të mëparshëm, Igor Fillkov, ministri Jeton Shasivari e vendos dialogun institucional, konsultimin me palët dhe komunikimin e hapur në qendër të veprimit të tij institucional, duke dëshmuar se institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të mbyllura ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të tyre.

Studentët kanë të drejtë në kërkesat e tyre

Kërkesa kryesore e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e cila ka nxitur debate të mëdha dhe protesta është dhënia e plotë e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Pasi përfundojnë studimet universitare në gjuhën amtare, juristët e rinj shqiptarë detyrohen t’i nënshtrohen këtij provimi shtetëror në gjuhën maqedonase, çka ka shtyrë organizatat studentore të organizojnë peticione dhe protesta për të kërkuar të drejtat e tyre.

Studentët insistojnë që provimi i jurisprudencës të organizohet tërësisht në gjuhën shqipe, duke argumentuar se kjo është një e drejtë themelore ligjore dhe kushtetuese që garanton barazi dhe dinjitet në arsim dhe në sistemin e drejtësisë.

Autoritetet dhe Ministria e Drejtësisë ofruan një propozim-ndryshim ligjor ku pjesa teorike (e cila përfshin pjesën më të madhe të provimeve) të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike (shqyrtimi i lëndëve reale të gjykatave) të mbetej në gjuhën maqedonase. Studentët dhe liderët e protestave e kanë hedhur poshtë këtë ofertë, duke kërkuar që i gjithë procesi të jetë në shqip.

Përveç provimit të jurisprudencës, shoqatat studentore kanë ridorëzuar kërkesa në Ministrinë e Drejtësisë që edhe provimet e tjera shtetërore e profesionale, si ai për noterë dhe përmbarues, të mundësohen në gjuhën shqipe.

VLEN-i premtoi zgjidhje

Pas presioneve të vazhdueshme dhe protestave masive të studentëve juristë shqiptarë, liderët e VLEN-it, si Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, dolën me zotime publike për të zgjidhur këtë problem disadekadësh.

VLEN premtoi formimin e grupeve të punës për harmonizimin e legjislacionit dhe ndërmarrjen e hapave konkretë institucionalë që brenda një afati prej tre muajsh, kandidatët të kenë mundësi ta japin provimin në gjuhën shqipe.

Biles, përveç provimit të jurisprudencës, koalicioni premtoi se në gjuhën amtare do të ofrohen edhe të gjitha provimet e tjera profesionale dhe licencat shtetërore (si ato për noterë dhe përmbarues).

VLEN e ka cilësuar këtë çështje si një “fazë të pakthyeshme drejt zgjidhjes”, duke akuzuar partinë BDI se e ka përdorur këtë temë vetëm për retorikë politike pa ofruar asnjë zgjidhje reale për 20 vite me radhë.

Megjithatë, ky premtim ka krijuar debate brenda koalicionit të madh qeverisës, pasi kryeministri Hristijan Mickoski ka kërkuar mendimin e ekspertëve kushtetues për të garantuar që çdo ndryshim të ruajë “uniformitetin juridik” të shtetit. Nga ana tjetër, studentët dhe opozita mbeten skeptikë dhe kërkojnë që premtimi i Koalicionit VLEN të mos mbetet vetëm në letër por të zbatohet urgjentisht pa asnjë kompromis, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ministri ka premtuar zgjidhje dhe e ka marr këtë pikë si prioritet

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, e ka trajtuar çështjen e provimit të jurisprudencës si një prioritet juridik dhe institucional, dhe jo si një çështje etnike apo politike. Qasja dhe premtimi i tij kryesor bazohen në ofrimin e një zgjidhjeje të integruar ligjore dhe teknike që do të prezantohet dhe demonstrohet zyrtarisht përpara studentëve dhe dekanëve.

Përpara se të merrte postin e ministrit, Shasivari, si profesor i së drejtës kushtetuese kishte deklaruar vazhdimisht se dhënia e provimit në gjuhën shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe se pengesat e mëparshme administrative ishin thjesht politike. Si ministër, ai premton zbatimin e kësaj të drejte për të krijuar mundësi të barabarta për juristët e rinj.

Për momentin propozohet që pjesa teorike e provimit të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike, shqyrtimi i lëndëve gjyqësore ekzistuese të mbetet në gjuhën maqedonase. Kjo zgjidhje do të demonstrohet praktikisht se si funksionon në sistem ku kryesisht lëndët nëpër gjykata drejtohen maqedonisht.

Nëse analizojmë argumentet e të gjitha palëve, zgjidhja më e qëndrueshme dhe më afatgjatë do të ishte mundësimi i plotë i provimit në gjuhën shqipe, por me gjetjen e një zgjidhje ose një fazë kalimtare për terminologjinë praktike, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër