Shkup, 14 tetor Zhurnal.mk – Një grant prej 500 mijë eurosh rrezikon të humbasë nëse nuk dorëzohet dokumentacioni i nevojshëm për një kompani franceze, e cila synon të punojë në sanimin e impiantit të pastrimit të ish-kompleksit industrial “Jugohrom” dhe të nisë aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë me krom gjashtëvalent në Jegunovcë. Kjo deponi përbën një kërcënim të mundshëm për burimin e ujit të pastër Rashçe, prej nga furnizohet Shkupi.
Nga organizata qytetare për mbrojtjen e mjedisit “Eko Svest” kanë alarmuar se afati për sigurimin e grantit po përfundon dhe ekziston rreziku që këto mjete financiare të humbasin. Për këtë arsye, ata kërkojnë nga ministri që urgjentisht të dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që të mos humbet mundësia për financimin e projektit. Sipas tyre, ky është hapi i parë drejt zgjidhjes afatgjatë të problemit.
Revista “Fokus” kishte shkruar për këtë çështje edhe gjatë verës, kur në opinion u ngrit shqetësimi për sigurinë e ujit që pinë banorët e Shkupit dhe për rrezikun që i kanoset burimit Rashçe nga mbetjet industriale të pasura me krom gjashtëvalent në Jegunovcë.
Ndërsa opinioni në Maqedoni gjatë verës, e madje edhe tani, është marrë me situatën në Gostivar, ku për shkak të faktorit njerëzor rreth 70 mijë banorë mbetën për më shumë se një muaj pa ujë të pijshëm, një lajm tjetër shkaktoi shqetësim të madh në Shkup. Para rreth një jave u përhapën informacione se edhe uji që vjen nga Rashçja dhe kalon nëpër rrjetin e ujësjellësit të Shkupit mund të ishte i dyshimtë për konsum, i pasigurt dhe potencialisht shkaktar i sëmundjeve infektive.
Informacioni fillimisht u shfaq në rrjetet sociale dhe u përhap me shpejtësi, duke krijuar panik te më shumë se 600 mijë banorët e kryeqytetit. U përhapën pretendime për praninë e bakterit Escherichia coli, për qytetarë që kërkonin ndihmë në Klinikën Infektive në Shkup, si dhe për zbrazjen e shpejtë të rezervave të ujit të ambalazhuar në marketet e qytetit.
Gjithçka nisi disa ditë më parë, kur gazetari i Kanalit 5, Aleksandar Vidinovski, i cili prej kohësh publikon reportazhe filmike për problemet e mjedisit jetësor, publikoi një material nga rrethina e Rashçes. Përmes tij, ai informoi opinionin për rrezikun e mundshëm ekologjik që paraqet deponia ilegale, e cila prej vitesh ndodhet në atë zonë dhe mund të dëmtojë burimin e Rashçes.
Menjëherë reagoi opozita, e cila përmes një konference për media nga vetë vendi e akuzoi pushtetin për gjendjen alarmante. Nga LSDM-ja thanë se situata paraqet, sipas tyre, gjenocid ekologjik dhe kërkuan reagim urgjent. Ata kërkuan që institucionet të përcaktojnë se çfarë mbetjesh depozitohen në atë lokacion, sa kohë janë hedhur atje dhe nëse ekziston rreziku që ndotja të depërtojë në ujërat nëntokësore. Partia kërkoi gjithashtu garanci publike se uji që aktualisht shpërndahet në Shkup është i sigurt për pije.
Pushteti reagoi ashpër, duke e akuzuar opozitën për përhapje të panevojshme të panikut dhe histerisë. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se bëhet fjalë për një sulm të orkestruar, për të cilin, sipas tij, dikush duhet të mbajë përgjegjësi penale. Ai paralajmëroi se dhjetëra qytetarë do të thirreshin në biseda informative dhe se do të kishte pasoja për veprime të tilla.
Gjorgjievski drejtoi gishtin nga opozita, duke e fajësuar për situatën e krijuar. Përpara kamerave, ai piu një gotë ujë për të dëshmuar publikisht se, sipas tij, uji i Shkupit nuk është i pasigurt dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e banorëve të kryeqytetit dhe të personave që qëndrojnë aty çdo ditë.
Në ditët në vijim pati përplasje të ashpra politike dhe akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. Në debat u përfshi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili deklaroi para mediave se opozita kishte planifikuar një sulm hibrid përmes rrjeteve sociale lidhur me ujin e Shkupit. Sipas tij, pushteti kishte pasur informacione për këtë një ditë më herët. Për këtë arsye, disa persona u thirrën në biseda informative në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
MPB-ja po zhvillon hetime për rastin, i cili, sipas kryeministrit, kishte për qëllim të krijonte shqetësim dhe pasiguri te qytetarët.
“Vitin e kaluar patëm sulme të ngjashme hibride përmes rrjeteve sociale lidhur me zjarret, ndërsa më herët edhe për tema të tjera, si pretendimet se shteti do të falimentonte, se do të vinin mijëra migrantë apo se do të përballeshim me krizë energjetike. Shpresoj që me ndryshimet në Kodin Penal të parashikohet një dispozitë për vepra të tilla, përmes të cilave krijohet qëllimisht histeri, kryhet sulm hibrid dhe përhapet shqetësim e frikë te popullata”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se pas rastit mund të qëndrojnë edhe motive komerciale, pasi marketet kishin shitur rezervat e ujit. Kryeministri bëri të ditur se hetimi i MPB-së është në vazhdim dhe se priten detaje të mëtejshme nga institucionet kompetente.
Ndërkohë, Prokuroria Publike ka hapur lëndë pas informacioneve të publikuara në opinion, me qëllim verifikimin e pretendimeve lidhur me mbetjet në zonën e mbrojtur pranë burimeve të Rashçes. Në fokus të hetimeve janë elementet e mundshme të veprave penale kundër mjedisit jetësor, si dhe përgjegjësia eventuale për ndotje ose trajtim të papërgjegjshëm të mbetjeve.
Ndërkohë, kryetari i Shkupit, Gjorgjievski, ka nisur pastrimin e deponisë ilegale, proces të cilin e ka dokumentuar edhe përmes videove të publikuara në profilet e tij në rrjetet sociale.
Megjithatë, pas gjithë kësaj situate që ka dominuar opinionin në shtatë deri në dhjetë ditët e fundit, sipas analizës së “Fokusit”, fshihet një rrezik shumë më serioz për burimin e Rashçes. Bëhet fjalë për mbetjet industriale dhe sterile e mbetur nga proceset industriale në kompleksin e dikurshëm metalurgjiko-kimik “Jugohrom”, në të cilat gjendet kromi gjashtëvalent, një substancë jashtëzakonisht toksike.
Me fjalë të tjera, problemi i Rashçes nuk ka nisur javën e kaluar. Ai zgjat prej dekadash, që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. Prandaj, sipas autorit të analizës, pyetja thelbësore nuk është nëse uji i kryeqytetit është i ndotur sot, por çfarë po bën shteti që kromi nga Jegunovca të mos bëhet nesër shkak për mbylljen e çezmave në Shkup.
Prej vitesh, institucionet zyrtare, organizatat ekologjike dhe ekspertët e fushës e kanë identifikuar deponinë industriale pranë “Jugohromit” si një nga pikat më të rrezikshme ekologjike në Maqedoni.
Studimi i përgatitur posaçërisht për këtë problem nga Instituti i Ndërtimtarisë, i cili konsiderohet ndër dokumentet më relevante për shkaqet dhe zgjidhjet e mundshme të kësaj problematike, e përshkruan deponinë si një zonë me ndotje ekstreme.
Sipas të dhënave të përmendura në analizë, matjet e ujërave nëntokësore përreth deponisë kanë treguar përqendrime të kromit gjashtëvalent, substancë jashtëzakonisht toksike dhe e rrezikshme për shëndetin, që arrijnë nga 50 mijë deri në 100 mijë herë mbi kufijtë maksimalë të lejuar.
Kjo e bën të domosdoshëm trajtimin serioz dhe urgjent të problemit të mbetjeve industriale në Jegunovcë, me qëllim mbrojtjen afatgjatë të burimit të Rashçes dhe furnizimit me ujë të pijshëm të Shkupit.
https://fokus.mk/histerijata-so-skopskata-voda-za-piene-mozhe-da-se-pretvori-vo-vistinska-opasnost-poradi-hromot-od-jegunovtse/
