Dodik paralajmëron kaos në fillim të vitit të ardhshëm: Më 9 janar Kushtetuta e re, Banjalluka kryeqytet, Pale kryeqendër

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Banjalluka, 14 tetor Zhurnal.mk – Lideri i SNSD-së, Milorad Dodik, ka deklaruar se ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese nuk janë të drejtuara kundër boshnjakëve apo ndonjë populli tjetër konstituiv.

Dodik ka bërë të ditur se plani është që më 9 janar të shpallet Kushtetuta e re e Republikës Sërpska, duke theksuar se, nëse deri në këtë datë nuk përfundojnë të gjitha procedurat, akti më i lartë juridik do të miratohet në një afat të mëvonshëm.

Në një deklaratë për RTRS, Dodik theksoi se Kushtetuta e re do të jetë moderne dhe do të respektojë karakterin konstituiv të të gjithë popujve, por njëkohësisht do të parandalojë, sipas tij, keqpërdorimet e mëtejshme në funksionimin e institucioneve të Republikës Sërpska.

Ai tha se ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese nuk synojnë boshnjakët apo ndonjë popull tjetër konstituiv, por, siç pretendoi, pengesat dhe keqpërdorimet e mekanizmave institucionalë që vijnë nga Sarajeva politike.

Ndryshimet e paralajmëruara përfshijnë disa risi të rëndësishme institucionale dhe territoriale-administrative.

Sipas propozimeve, zgjidhjet kushtetuese duhet të garantojnë që qëndrimi i secilit popull të dëgjohet dhe të merret parasysh, ndërsa shumica e kualifikuar demokratike të mund të marrë vendime pa u përballur me mekanizma që, sipas Dodikut, krijojnë bllokada artificiale.

Parashikohet gjithashtu riorganizimi i mënyrës së funksionimit dhe i kompetencave të Këshillit të Popujve të Republikës Sërpska, me qëllim rritjen e efikasitetit të procesit legjislativ.

Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me statusin e qyteteve. Banjalluka do të përcaktohet zyrtarisht si kryeqyteti i Republikës Sërpska, ndërsa Pale do të marrë statusin e kryeqendrës.

artikuj të ndërlidhura