Hita viziton punonjësit e Policisë të dëmtuar gjatë tubimit të sotëm

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Pas përfundimit të tubimit të dhunshëm, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, vizitoi në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë të dëmtuar si pasojë e sulmeve me gurë, sende të forta dhe bomba molotov nga pjesëmarrës të maskuar, të cilët për më shumë se 14 orë sulmuan punonjësit e Policisë dhe vunë në rrezik sigurinë e tyre.

Drejtori Hita u uroi punonjësve të dëmtuar shërim të shpejtë, i falënderoi për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përmbajtjen e treguar përballë sulmeve të pandërprera, si dhe i siguroi për mbështetjen e plotë të tij dhe të institucionit që drejton.

Hita bisedoi edhe me stafin drejtues të spitalit dhe ekipin mjekësor, nga të cilët u informua se punonjësit e Policisë që kanë pësuar dëmtime më të rënda do të vijojnë të qëndrojnë në spital për të marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Gjatë tubimit të dhunshëm të ditës së sotme, u dëmtuan 51 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Shërbimet e Policisë, deri në këto momente, kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme 65 shtetas pjesëmarrës në tubim, të dyshuar për sulme ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.

Policia e Shtetit do të vijojë veprimet ligjore për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër