Tri interpelenca në seancën e sotme plenare të Kuvendit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 tetor, Zhurnal.mk – Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën plenare publike, ku në rendin e ditës janë parashikuar tri interpelanca me ministra, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Interpelanca e parë e seancës së sotme ështe interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në vijim, janë parashikuar dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, të kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

Në rendin e ditës përfshihet projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, të miratuar në Luksemburg më 13 maj 2025, si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.

Një tjetër çështje në rendin e ditës është projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”.

Gjatë seancës pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Seanca do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër