”Ekipet e emergjencës vijuan gjatë natës operacionet e kërkim-shpëtimit në disa zona të prekura nga moti i keq”, njoftuan autoritetet turke.
AA raportoi sot se viktimat janë një grua 34-vjeçe, e cila ndërroi jetë në spital, dhe një adoleshent 14-vjeçar, i cili humbi jetën nga goditja elektrike në një pellg me ujë.
Të dyja ngjarjet ndodhën në pjesën evropiane të metropolit.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, deklaroi në Ankara se në operacionet e shpëtimit janë angazhuar më shumë se 46 000 punonjës, 2 288 automjete dhe 14 mjete lundruese.
Autoritetet kanë marrë afro 10 000 njoftime për incidente dhe kërkesa për ndihmë, më shumë se 8 500 prej të cilave nga Stambolli.
Sipas medieve lokale, disa zona të qytetit kanë regjistruar reshjet më të dendura të matura që nga viti 1985.
Për shkak të situatës, mësimi është pezulluar në Stamboll dhe në qytetet perëndimore Kocaeli, Zonguldak, Sakarya, Yalova dhe Düzce, ku parashikohen reshje të dendura edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë larg nënkalimeve.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gul, bëri të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit vijonin në 14 zona të qytetit.
Për shkak të motit të keq, 51 fluturime drejt aeroportit të Stambollit janë devijuar drejt qyteteve të tjera, ndërsa 19 të tjera janë anuluar. Pasagjerëve të bllokuar u janë siguruar ushqim dhe akomodim.
Gjithashtu, 16 rrugë dytësore vijojnë të jenë të mbyllura.
Në disa lagje të pjesës evropiane të Stambollit janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë, të cilat kanë vazhduar deri në mëngjes.
Shërbimet e metrosë dhe tramvajit janë rikthyer pas pezullimeve të pjesshme.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
