Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me grevën e punëtorëve teknikë të shkollave, duke kritikuar moszbatimin e pagës minimale për punëtorët e sektorit privat.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka bërë të ditur se punëtorët teknikë të shkollave, të punësuar nga kompanitë private të kontraktuara nga komunat, vazhdojnë të paguhen me 390 euro në muaj, ndonëse paga minimale prej 500 eurosh bruto ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026.
Ajo i ka bërë thirrje Inspektoratit Qendror të Punës që të ndërmarrë masa ndaj kompanive që nuk e zbatojnë vendimin për pagën minimale.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar gjithashtu dallimin në trajtimin e punonjësve të sektorit publik dhe atij privat, duke e vënë në pah ndarjen e rreth 130 milionë eurove për pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, përmes rishikimit të buxhetit.
Postimi i plotë:
13 PAGA PËR SEKTORIN PUBLIK, NDËRSA PËR SEKTORIN PRIVAT AS PAGË MINIMALE!
E dhimbshme t’i shohësh punëtorët teknikë të shkollave në grevë për një të drejtë krejt elementare siç është paga minimale.
Kompanitë private të kontraktuara nga komuna vazhdojnë t’i paguajnë punëtorët me 390 euro në muaj, edhe pse paga minimale prej 500 euro bruto ka hy në fuqi që nga 1 korriku 2026.
Inspektorati Qendror i Punës duhet menjëherë të marrë masa ndaj kompanive që nuk e zbatojnë vendimin për pagën minimale.
Nëse kompanitë nuk i përballojnë kostot shtesë nga vendimi i Qeverisë, zgjidhjen duhet ta kërkojnë te kontraktori i tyre përmes ndryshimit të kontratave, POR problemet kontraktuale asnjëherë nuk duhet të zgjidhen në kurriz të punëtorëve dhe këtë situatë s’duhet ta lejoj Inspektorati.
Qeveria ka ndarë rreth 130 milionë euro për pagën e 13-të, për sektorin publik,(përmes rishikimit të buxhetit) ndërkohë punëtorët që mbajnë të pastra shkollat e fëmijëve tanë nuk marrin as pagën minimale.
Qeveria duhet të sigurojë zbatimin e vendimeve të veta, komunat duhet të marrin përgjegjësi për kontratat e tyre, ndërsa kompanitë private duhet t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve.
Paga minimale nuk është privilegj as opsion, është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë.
