MPJ thërret në bisedë përfaqësuesin e Ambasadës bullgare: Deklaratat për rastin Mihaillova, fyese dhe provokuese

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka thirrur sot në bisedë një përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, i cili ushtron detyrën e të ngarkuarit me punë në mungesë të ambasadorit. Shkak për këtë veprim janë deklaratat e fundit të ministrit të Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, dhe ambasadorit bullgar Zheljazko Radukov.

Sipas njoftimit të MPJ-së, gjatë takimit është shprehur pakënaqësi për deklaratën e Demerxhievit lidhur me rastin e Iva Mihaillovës, e cila nga pala maqedonase është vlerësuar si fyese dhe provokuese.

Po ashtu, është kundërshtuar deklarata e ambasadorit Radukov për televizionin bullgar BTV, e cila, sipas Ministrisë, përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit, për shkak të vlerësimeve të bëra për punën e institucioneve kompetente.

“Provokime të tilla e largojnë dialogun dypalësh nga korniza në të cilën duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, përmbajtjes dhe komunikimit konstruktiv”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Nga Ministria theksojnë se gjatë takimit është paralajmëruar se një sjellje e tillë mund të sjellë nevojën për reagim përkatës institucional, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila përcakton kufijtë e veprimtarisë diplomatike dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit pritës.

Në përfundim të takimit, MPJ-ja ka ritheksuar përkushtimin për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, besimin dhe parimet evropiane.

“Ky përkushtim dhe përgjegjësi pritet edhe nga pala bullgare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër