Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit ka njoftuar qytetarët se të mërkurën, më 21 tetor 2026, nga ora 08:00, do të nisin punimet për rregullimin e trotuarit në rrugën “Ferid Murati”, në segmentin pranë ngrohtores.
Për të mundësuar zhvillimin e papenguar të punimeve, komuna u bën thirrje banorëve dhe të gjithë shfrytëzuesve të këtij segmenti rrugor që të mos parkojnë automjetet në hapësirën ku do të ndërhyhet.
Gjithashtu, qytetarët që kanë automjete të parkuara në këtë zonë kërkohet t’i largojnë ato para orës 08:00, kur është planifikuar fillimi i punimeve.
Nga Komuna e Çairit falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të këtyre punimeve.
